Paralajmërohet ‘tronditja’ e skenës politike në Kosovë!

  • 29 August 2019 - 07:18
Paralajmërohet ‘tronditja’ e skenës politike në Kosovë!

Gjykata Speciale deri më tani ka intervistuar Ramush Haradinajn, Sami Lushtakun, Rrustem Mustafën, Jakup Krasniqin, Sokol Dobrunën, Blerim Kuçin, Shukri Bujën...

Analistët politikë konsiderojnë se zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit që do të mbahen në Kosovë, do të ndikojnë në punën e Gjykatës Speciale, e cila deri më tani ka intervistuar një numër të madh personash nga Kosova, por ka hezituar në ngritjen e aktakuzave ndaj të dyshuarve.

Image

Sipas analistit dhe njohësit të zhvillimeve politike në Kosovë, Nexhat Haziri, të akuzuarit eventual të Speciales, nuk do të duhej të jeni në listat garuese në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

“Procesi i zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë të cilat janë caktuar tashmë të mbahen me 6 tetor, realisht nuk do të duhej të kishin impakt në punën e Gjykatës Speciale, gjë që do ta ndihmonte edhe procesin e zgjedhjeve pasi të akuzuarit që pritet të jenë nga Gjykata Speciale, nuk do të mund të ishin në listat e deputetëve e as të garonin për postin e kryeministrit, pra do të bënte që ky proces të ishte më i dekriminalizuar”, është shprehur Haziri për “Kosova Sot Online”.

Por, sipas Hazirit, zgjedhjet do ta ngadalësojnë punën e Gjykatës Speciale.

“Një gjë e tillë është e pamundur të mos ndodhë në realitetin e Kosovës. Pra, përtej kësaj zgjedhjet do ta ngadalësojnë punën e Gjykatës Speciale, së pari në përfundimin e ftesave dhe intervistimin e të dyshuarve që akoma ka në programin e kësaj Gjykate, dhe këto ftesa pritet të arrijnë pas përfundimit të zgjedhjeve. Faktor tjetër është ballafaqimi i intervistave dhe dëshmive që posedon Gjykata të marrë nga dëshmitarët, një proces që po ashtu kërkon kohë, dhe unë mendoj se periudha më reale kur pritet të ngritën aktakuzat e para nga kjo gjykatë, është pjesa e parë e vitit të ardhshëm”, shton Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, aktakuzat eventuale të Speciales, do ta tronditnin skenën politike në Kosovë.

“Dhe është krejt e natyrshme që këto aktakuza do ta tronditin skenën politike në Kosovë, pasi siç flitet edhe nga burime ndërkombëtare të afërta më Gjykatën Sepciale, të akuzuar do të jenë disa nga “të fortit” e politikës, dhe mbase kjo do të shënoj edhe një fillimvit të mbarë për Kosovën që do të kontribuoj në dekriminalizimin e skenës politike në vend, proces ky që poashtu shënon në normalitet në politik, por edhe në përgjithësi në funksionimin e Kosovës si shtet i të së drejtës me ambicie reale për një demokraci të përparuar, gjë që më këtë klasë politike në të cilën kanë gjetur “strehë” politikan të inkriminuar jo vetëm në krime lufte, por edhe në vrasje politike, në krim të organizuar, etj,që janë shëndrruar në pengë të zhvillimeve pozitive në vend”, përfundon për “Kosova sot Online”, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Nexhat Haziri.

(Kosova Sot Online)