“Boll është bollë”, ja për kë kërkohet dënimi i rëndë me 6 tetor

  • 29 August 2019 - 07:25
“Boll është bollë”, ja për kë kërkohet dënimi i rëndë me 6 tetor

Është moment historik që të vetëdijesohet kjo shoqëri, është momenti kur duhet reaguar fuqishëm kundër....

Nga analistët politikë në Kosovë, zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen me 6 tetor, nuk pritet të sjellin asnjë ndryshim në Kosovë. Analistët paralajmërojnë edhe rrezikun e bojkotimit të zgjedhjeve nga qytetarët, si notë proteste ndaj pushtetarëve të kriminalizuar. Por ata kërkojnë dënimin e të gjithë atyre, që për 20 vite kanë shkatërruar shtetin më të ri në Evropë.

Image

Ish kreu i Agjencionit Kundër Korrupsionit në Kosovë, njëherit edhe njohës i mirë i zhvillimeve politike, Hasan Preteni për “Kosova Sot Online” thotë se kosovarët në zgjedhjet e 6 tetorit, duhet t’ua japin dënimin atyre që për 20 vite shkatërruan pothuajse gjithçka në Kosovë.

“Qytetari i Kosovës duhet të ngritët në lartësinë e përgjegjësive që i ka. Tani po i njohim të gjithë politikanët të cilët që 20 vite e shkatërruan këtë shtet. Duhet që me një analizë të thellë të kuptojmë se cilët janë ata që dështuan, cilët janë ata që e gllaberitën këtë vend, cilët janë ata që na humben shpresën dhe cilët janë ata që u pasuruan shumë dhe shpejtë. Jo të gjithë atyre, e patën shansin dhe dështuan”, ka thënë Preteni për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, është moment historik që të vetëdijesohet kjo shoqëri, është momenti kur duhet reaguar fuqishëm kundër klasës politike që ishte në pushtet deri më tani.

“Boll është bollë. Duhet të ju mundësohet ardhja në pushtet të gjithë atyre që nuk ishin pjesë e krimit, që kanë reflektuar pozitivisht aty ku kanë vepruar deri më tani, që janë të edukuar profesionalisht, që kanë integritet dhe që e duan shtetin. Dashuria ndaj shtetit nuk duhet matur me atë se sa bukur i këndojnë shtetit por sa fuqishëm punojnë për shtetin. Patriotizmi është veprim. Stop hajnave, krimineleve e folk patriotëve”, përfundon Preteni për “Kosova Sot Online”.

Kujtojmë se zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë që pritet të mbahen me 6 tetor, erdhën si rezultat i dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të vendit, me arsyetimin e ftesës nga Gjykata Speciale për intervistim.

(Kosova Sot Online)