‘Mashtrimi epokal”, vjen thirrja dhe paralajmërimi serioz për zgjedhjet e 6 tetorit

  • 29 August 2019 - 07:35
‘Mashtrimi epokal”, vjen thirrja dhe paralajmërimi serioz për zgjedhjet e 6 tetorit

Kosovarëve po u kërkohet dalja sa me e madhe në zgjedhjet e 6 tetorit, dhe votimi kundër politikanëve të kriminalizuar. Paralajmërohet mashtrimi dhe manipulimi më i madh i të gjitha viteve të pasluftës...

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë që pritet të mbahen me 6 tetor, sipas analistëve politikë nuk pritet të sjellin asnjë ndryshim në Kosovë. Madje ata thotë se edhe këto zgjedhje do të jenë një dështim dhe mashtrim i radhës për kosovarët.

Image

Analistët paralajmërojnë edhe rrezikun e bojkotimit të zgjedhjeve nga qytetarët, si notë proteste ndaj pushtetarëve të kriminalizuar.

Sipas analistit politik, Gani Qarri zgjedhjet e 6 tetorit do të jenë mashtrimi më i madh i të gjitha viteve të pasluftës.

“Duke pasur parasysh faktin se vetëm brenda dy viteve të fundit, që nga zgjedhjet paraprake e deri në përfundimin e parakohshme të kësaj legjislature, nga Kosova kanë ikur disa dhjetëra mijëra votues potencial, këto zgjedhje nuk do te jenë më vetëm dështim i radhës, por edhe mashtrimi epokal dhe më i madhi, jo vetëm i dhjetëvjeçarit që po lëmë pas, por i të gjitha viteve të pasluftës”, ka thënë Qarri për “Kosova Sot Online”.

Qarri ka treguar edhe se çfarë pritet të ndodhë më 6 tetor në zgjedhjet e jashtëzakonshme, zgjedhje këto të cilat vijnë si rezultat i dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës.

“Në këto zgjedhje, pritet të ndodhë kulmi i të gjitha keqpërdorimeve të deritanishme me manipulimin e dhjetëra mijëra votave të atyre që e kanë lëshuar vendin dhe nuk janë më këtu, por që megjithatë emrat e tyre nuk janë fshirë nga listat e votimeve. Ndaj në Kosovë nuk është më problem vetëm çështja e premtimeve të mëdha primitive dhe mashtrimeve të pa fund e pa asnjë mbulesë të partive të dështuara politike, por problemi kryesor do të jetë keqpërdorimi nga ato, i listave të votuesve, me emrat e dhjetëra mijëra të rinjve dhe familjarëve me të drejtë vote, të cilët kanë ikur nga Kosova”, ka shtuar Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit, në këto zgjedhje kosovarët duhet të dalin masivisht në zgjedhje dhe të votojnë kundër kriminelëve, përndryshe ata do të mashtrohen sërish nga politikanët mafiozë.

“Kështu që në zgjedhjet që do të mbahen me 6 tetor të këtij viti, fokusi kryesor i politikanëve të kriminalizuar dhe partive të dështuara politike do të jetë pikërisht keqpërdorimi i këtyre listave me emrat e të mërguarve,për rregullimin e rezultateve të veta partiake me manipulimin e votës së tyre.

Ndaj qytetarët e Kosovës, kësaj radhe duhet të dalin sa më masivisht në zgjedhje dhe të votojnë kundër kriminelëve, përndryshe ata jo vetëm se do te mashtrohen sërish nga politikanet mafioz e të inkriminuar deri në fyt, por nëse rastësisht, shenjë revolte këto zgjedhje bojkotohen nga qytetaret, si notë proteste ndaj pushtetarëve të kriminalizuar, atëherë rezultati që do të arrijnë, pikërisht ata me votat e militantëve të vet partiak dhe të atyre që e kanë lëshuar Kosovën, do të jetë shumë më fenomenal dhe pozitiv për ta, me çka Kosova rrezikon të udhëhiqet sërish edhe për një periudhë ligjore më tepër,nga mafiozët dhe kriminelët”, ka përfunduar analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)