‘Haradinaj, Lushtaku, Krasniqi, Mustafa....’, vera e ‘nxehtë’ e Speciales, por...

  • 29 August 2019 - 14:55
‘Haradinaj, Lushtaku, Krasniqi, Mustafa....’, vera e ‘nxehtë’ e Speciales, por...

Ramush Haradinaj, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, Jakup Krasniqi, Sokol Dobruna, Blerim Kuçi, Shukri Buja e shumë të tjerë u intervistuan nga Specialja, por...

Gjykata Speciale e cila u miratua nga Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2015, ishte paralajmëruar se mund të ngritë aktakuzat e para për personat e dyshuar, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Edhe pse parashihej të jetë një verë e nxehtë nga Specialja, ajo edhe më tej heziton në ngritjen e aktakuzave, edhe pse intervistoi një numër të madh personash nga Kosova, ndër ta edhe shumë figura të njohura, si Ramush Haradinaj, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, Jakup Krasniqi, Sokol Dobruna, Blerim Kuçi, Shukri Buja e shumë të tjerë.

E tani kur Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme si rezultat i dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj për shkak, siç thotë Haradinaj, të ftesës së Speciales, sipas analistëve dhe ish deputetëve ka ndikuar edhe në punën e Speciales. 

Ish-deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, thotë se partia e saj ka qenë vazhdimisht kundër Speciales. Ajo ka theksuar se mungesa e drejtësisë në vend, segment ky i kapur nga politika e ka sjellë edhe Gjykatën Speciale.

Image
Drita Millaku

"Situata e krijuar në rrafshin politik për shkak të zgjedhjeve të parakohshme natyrisht se kanë ndikuar në ngritjen e aktakuzave. Lëvizja Vetëvendosje në programin e saj politik dhe qeverisës i jep rëndësinë e duhur shkapjes së drejtësisë nga politika duke aplikuar Vetingun". ka thënë Millaku për “Kosova Sot Online”.

Sipas saj, kjo do të ishte edhe fillimi i kthimit të besimit në drejtësinë kosovare.

"Kjo do të ishte një sinjal pozitiv në funksion të forcimit të shtetit dhe së drejtës", përfundoi Millaku.

Kurse, eksperti i sigurisë, Drizan Shala është shprehur se zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë nuk pritet të kenë asnjë ndikim në punën e Gjykatës Speciale, pasi sipas tij zgjedhjet dhe Specialja, janë dy procese të ndara.

Image
Drizan Shala

“Gjykata speciale ka mandat dhe autoritet për të kryer punët të parapara me ligjet të Kosovës, dhe me këtë rast zhvillimet politike në vend "NUK" ishte deshtë të ndikojë në punën e këtij institucioni. Prokuroria e Gjykatës speciale deri me tani është vetëm duke kryer procesin hetimor (marrjen në pyetje të eksponateve të asaj kohe) vërtetim mbi pretendimet e DIK MARTIN-it", tha Shala për “Kosova Sot Online”.

Tutje, Shala ka thënë se arsyeja e mos ngritjes së aktakuzave, mund të jetë që ekipi hetues i udhëhequr nga Jack Smith, nuk ka mundur ende të kompletojë dhe vërtetojë këto pretendime nga raporti i Dick Martit.

"Ngritja e aktakuzave nga ana e GJS në fakt është qetësuese në aspektin ndërkombëtar ku gjendet Kosova në shumë procese (politike,sigurisë, ekonomisë etj) dhe që mund të përdor qeveria e Serbisë për të kundërshtuar në çdo aspekt sukseset e shtetit të Kosovës".

Sipas tij, në aspektin e brendshëm këto aktakuza nuk do kenë asnjë efekt.

“Arsyeja qëndron që çdo i akuzuar është i pafajshëm deri të vërtetohet me një aktvendim nga ana e gjykatës përkatëse”, përfundoi Shala për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)