Detaje të reja për vrasjen e ish-efektivit të policisë. Ndaj tij u qëllua me dy armë dhe dyshohet që vrasësit janë…

  • 29 August 2019 - 17:42
Detaje të reja për vrasjen e ish-efektivit të policisë. Ndaj tij u qëllua me dy armë dhe dyshohet që vrasësit janë…

Ndaj Santiago Malkos, i ekzekutuar në një atentat mbrëmjen e së martës, dyshohet është qëlluar nga dy armë kallashnikovë.

Në mjetin që u dogj në kodrat e fshatit Ferraj, policia ka gjetur dy armë, si dhe 6 krehra me fishekë, bën me dije TvKlan. Nga këto armë automatike, grupi hetimor dyshon se është qëlluar në drejtim të makinës ku ndodhej 26-vjeçari.

Armët janë dërguar në laborator për t’u ekzaminuar nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale. Prokuroria është duke verifikuar edhe telefonin personal të viktimës, për bisedat e tij dhe nëse mund të ketë material që mund të shërbejë për të hedhur dritë mbi krimin.

Ndërkohë, ABC News bën me dije se deri më tani të dyshuar për këtë ngjarje janë shtetasit D.A dhe L.D, për të cilët po kryhen të gjitha verifikimet. 

Sipas burimeve policore këta dy persona ishin me precedent të mëparshëm penal dhe akuzohen për një sërë veprash penale, por më kryesore është ajo e trafikut të lëndëve narkotike.

Po i njëjti burim thekson se makina “Mercedes Benz” që u gjet e djegur në fshatin Ferraj, dyshohet të jetë në pronësi të njërit prej këtyre personave, por nuk kanë akoma prova konkrete që ti dërgojnë tek autorët.

Referuar burimeve konfidenciale nga grupi i hetimit, thuhet se autorët e ekzekutimit të ish-policit janë vrasës me pagesë, nisur dhe nga mënyra se si është bërë atentati, shkruan ABC.

Santiago Malko hoqi dorë nga uniforma e policisë më 14 prill 2016, pasi u përfshi në një konflikt me dy vëllezërit Edmond dhe Gentian Lashi, disa metra larg Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Ata u konfliktuan në një lokal bastesh, dhe në atë kohë u deklarua se gjithë sherri ndodhi për një borxh të pashlyer nga ana e dy vëllezërve.

(Kosova Sot Online)