Haradinaj përjashton koalicionet me partitë e mëdha, thotë se PDK’ja e ka tronditur për taksën

  • 29 August 2019 - 18:12
Haradinaj përjashton koalicionet me partitë e mëdha, thotë se PDK’ja e ka tronditur për taksën

Kryeministri në largim, njëherësh kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj nuk e ka përjashtuar mundësinë që të bashkohen me Nismën Socialdemokrate, AKR-në dhe ndonjë parti tjetër të vogël.

Kjo deklaratë e Haradinaj vjen tash kur kanë mbetur vetëm edhe një ditë për certifikimin e koalicioneve parazgjedhore, por ende asnjë parti politike nuk ka aplikuar në KQZ për një gjë të tillë.

Ai ka përjashtuar çfarëdo lloj mundësie për të hyrë në koalicion parazgjedhor, me PDK-në, LDK-në dhe VV-në.

“Ne kemi mbet të hapur për partitë partnere potenciale, si Nismën, AKR-në, dhe ndonjë parti tjetër. Por nuk kemi në opsion marrëveshje të koalicionit qeverisës me PDK-në, LDK-në dhe VV-në. Nëse ka vullnet prej Nismës, ne jemi të hapur. Është një marrëdhënie me ta e qëndrueshme, është e njëjtë edhe me AKR-në dhe parti tjera të vogla. Por nuk synojmë dhe nuk do të ketë koalicion të gjerë, në rastin konkret, PDK-në, LDK-në dhe VV-në”, thotë ai.

I pyetur nëse një koalicion i mundshëm ndërmjet LDK-së dhe VV-së do ta ndryshonte mendimin për bashkimin me PDK-në, Haradinaj thotë se mbetet i palëkundur në qëndrimet e tij përkitazi me këtë çështje.

“Nuk e ndryshon qëndrimin tonë as një koalicion i mundshëm mes LDK-së dhe VV-së. Ne e kemi një koncept qeverisës shumë të qartë, pra 100 për qind Kosovë. Ne kemi definuar kush jemi, çka kërkojmë, dhe çka i ofrojmë votuesve dhe nuk e bazojmë punën tonë fare në marrëdhëniet e të tjerëve. Ështe çështje e LDK-së dhe VV-së çka bëjnë mes vete, por ne jemi vetvetja dhe me kohë e kemi njoftuar qytetarin për çka jemi”, thotë ai.

Lideri i AAK-së thotë se në këto zgjedhje hyjnë për të fituar garën dhe për të qeverisur me vendin. Ndërsa pas zgjedhjeve preferon të bashkëpunojë vetëm me ato parti që përkrahin në tërësi konceptin e AAK-së, “100 për qind Kosovë”.

Thotë se nuk do të bëjnë asnjë kompromis që cenon shtetësinë e Kosovës.

“Jemi në punë për t’i fituar zgjedhjet dhe si fitues do t’i dëgjojmë pikëpamjet e të gjithëve për të parë me cilin bashkëpunim do të jetë më i dobishëm për vendin. Dihen më qëndrimet tona për plotë tema. 100 për qind shtet është e pakompromis. Pra, nuk do të bëjmë kompromis me askënd për ato qëllime qeverisëse që janë në interes për vendin. Sepse legjitimimi i një koncepti qeverisës 100 për qind shtet ia jep Kosovës mundësinë për t’iu kthyer zhvillimit ekonomik, aktivizimit të resurseve. Ne veç kemi gati një plan biznesi për Trepçën”, thotë ai.

Kryeministri në largim është kundër bashkëpunimin të mëtutjeshëm me PDK-në. Thotë se me këtë parti nuk ka përvojë të mirë.

E akuzon se ndryshoi qëndrimin për taksën dhe kjo sipas tij legjitimoi kërkesën e Serbisë për heqjen e taksës.

Madje thotë se ndikoi edhe në prishjen me raporteve me ndërkombëtarët.

“Kemi një përvojë jo të mirë me PDK-në. Kjo parti është treguar jo e qëndrueshme në situatën me taksën me Serbinë, na shkaktoi tronditje të madhe kjo paqëndrueshmëri e tyre. Dhe kjo nuk na ka lënë përvojë të mirë fatkeqësisht. Ishin momente të ndjeshme kur kërkohej një unitet jo vetëm brenda koalicionit qeverisës, por edhe me gjerë dhe thyerja e brendshme na shkaktoi trauma të mëdha. Pastaj edhe para opozitës, por edhe para miqve tanë ndërkombëtarë nuk ishim unik në kërkesa dhe kjo ia përmirësoi pozitën Serbisë dhe u konsoliduar kërkesa e Serbisë, që rikthehet në dialog nëse tërhiqet taksa. Por taksa nuk bën me u heq deri në njohje, sepse s’kemi çka japim për njohje”, ka shtuar Haradinaj.

(Kosova Sot Online)