Pas Mustafës e Kurtit, takohen edhe Haziri e Konjufca

  • 29 August 2019 - 19:49
Pas Mustafës e Kurtit, takohen edhe Haziri e Konjufca

Pas takimit në mëngjesin e sotëm mes kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa me atë të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të diskutuar për mundësitë e koalicionin parazgjedhor, pasdite kanë vazhduar diskutimet në nivelin e nënkryetarëve, mes Glauk Konjufcës dhe Lutfi Hazirit.

Por, pa ndonjë rezultat konkret. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, derisa nuk ka dhënë detaje për diskutimet që janë zhvilluar.

Manxhuka është shprehur se ata janë të gatshme për marrëveshje, por pa kushtëzime. Ai ka kërkuar nga LDK-ja që mos t’i vendosin para fakteve të kryera, por të koordinohen.

“Vetëvendosje është e gatshme për marrëveshje, nëse LDK nuk na vendos para fakteve të kryera. Nuk na duhet kushtëzim, por koordinim, prandaj duhet të heqin dorë nga kushtëzimet. Edhe vetë sekretari organizativ i LDK, Abrashi, lexuam në media se e kishte pranuar që janë ngutur me vendimin që e kanë marrë për të nxjerrë kandidatin. Veprimet e ngutshme e pengojnë bashkëpunimin”, tha ai për ksp.

Lidhja Demokratike Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje ka disa ditë që janë duke diskutuar për mundësitë e koalicionit parazgjedhor, por ende nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje që të shkojnë bashkë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Ndryshe, nesër në ora 24:00, është afati i fundit për koalicione parazgjedhore.


(Kosova Sot Online)