Serbia inatoset me Mogherinin për shkak të Kosovës

  • 30 August 2019 - 10:20
Serbia inatoset me Mogherinin për shkak të Kosovës

Nga Serbia vijnë kritika të ashpra për ftesën e Kosovës për pjesëmarrje takimin e Ministrave të jashtëm të BE-së.

Mediat serbe vazhdojnë të reagojnë ndaj ftesës për Kosovën të marrë pjesë në takimin e Ministrave të jashtëm të BE-së dhe krerëve të diplomacisë së shteteve nga Ballkani Perëndimor për bashkëpunimin rajonal në Helsinki.

“Kosova është ftuar edhe pse nuk është as anëtare e Bashkimit evropian, as kandidate, e as kurrë nuk ka marrë pjesë në takime të këtij lloji”, shkruan portali serb “Blic”

Shefja në largim e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini akuzohet nga Serbia se ka bërë një përjashtim të rrallë me ftesën për përfaqësuesit e Kosovës si “partner nga Ballkani perëndimor”.

Në Komisionin Evropian vendimin e Mogherinit e shpjegojnë si “të domosdoshëm dhe të dobishëm” për shkak të “pjesëmarrjes së gjithë shteteve nga Ballkani Perëndimor në diskutime të rëndësishme për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal”.

“Të gjithë gjashtë partnerët nga Ballkani Perëndimor janë ftuar për këto bisedime. Në pyetje është diskutimi joformal në të gjitha aspektet e jashtme të sigurisë së përbashkët dhe bashkëpunimit rajonal andaj është e nevojshme pjesëmarrja e të gjithë partnerëve”, thuhet në shpjegimin nga zëdhënësi i BE-së.

Mirëpo, ftesa për pjesëmarrje të Kosovës ka zgjuar kritika të ashpra nga shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq.

“Është ftuar një territor që është larg nga statusi i kandidates për anëtarësim”, tha ai. Daçiq do ta përfaqësojë Serbinë në takimin në Helsinki edhe pse fillimisht kishte vënë në dyshim pjesëmarrjen e tij për shkak të ftesës për delegacionin e Kosovës. 

(Kosova Sot Online)