Ecje sensibilizuese në Prishtinë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur

  • 30 August 2019 - 12:57
Ecje sensibilizuese në Prishtinë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, të premten në Prishtinë është organizuar një ecje sensibilizuese, që kishte si qëllim dhe mesazh, adresimin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur të luftës së fundit në Kosovë.

Përfaqësuesit e shoqatave të personave të pagjetur, kërkuan më shumë angazhim të institucioneve për zbardhjen e fatit të këtyre personave, numri i të cilëve llogaritet të jetë mbi 1600, për të cilët nuk dihet asgjë që nga koha e konfliktit të vitit 1999.

Në emër të familjarëve të të zhdukurve, Bajram Çerkini, tha se adresa ku mund të kërkohet përgjigje për fatin e të pagjeturve është Serbia, e cila mbahet përgjegjëse për zhdukjen e këtyre personave gjatë kohës së luftës.

“Familjarët në këtë ditë kanë një plagë që nuk mund ta shërojnë. Jo vetëm vendorët, por as ndërkombëtarët nuk po ndihmojnë e dihet që adresa është në Serbi”, tha Çerkini, duke aluduar në rritjen e presionit ndërkombëtar mbi Beogradin zyrtar për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të këtyre personave.

Në ecje, por edhe homazhe tek obelisku dedikuar personave të zhdukur, kanë marrë pjesë edhe figura të larta politike të institucioneve të Kosovës.

“Është obligim i yni shtetëror që të punojmë përditë, pa u ndalur, që ta zbardhim fatin e tyre. Kosova nuk harron!”, ka thënë kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili mori pjesë në këtë ngjarje.

Kurse, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë përmes një postimi në Facebook se “zbardhja e fatit të të pagjeturve është jetike për familjet tona dhe për Republikën e Kosovës, për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tone”.

”Nuk mund të ketë paqe pa e zbardhur të vërtetën e fatit të tyre dhe pa dhënë përgjegjësi kryesit e krimeve. Nuk do të ndalemi deri në zbardhjen e fatit të çdo të pagjeturi në Kosovë! As ne dhe as bashkësia ndërkombëtare nuk mund të lejojmë që gjenocidi serb në Kosovë të harrohet dhe të kalojë i pandëshkuar”, ka shtuar ndër të tjera Thaçi.

(Kosova Sot Online)