Reka: Nëse s’bëhet koalicioni LDK-VV, priteni të zbrazet Kosova

  • 30 August 2019 - 18:02
Reka: Nëse s’bëhet koalicioni LDK-VV, priteni të zbrazet Kosova

Ish-kandidati për president të Maqedonisë Veriore, Blerim Reka, ka lavdëruar ofertën e fundit të Albin Kurtit për koalicionin me LDK-në.

“Propozimi i tij për Vjosa Osmanin – bartëse e listës së përbashkët LDK-LVV; dhe mospërmendja fare e emrit të tij – as si i dyti në atë listë; ishte kundër-përgjigjja më e denjë e tij”, ka thënë ai.

Sipas Rekës, fjalia kryesore e Kurtit në atë ofertë ishte “çkapja e Republikës”, jo kreu i shtetit, që tejkaloi interesat e ngushta personale, për të mirë të synimit madhor.

Postimi i plotë:

Fair Deal: VV-LDK

Oferta e fundit e Albin Kurtit për LDK-në, tejkalon politikën kosovare. Madje, mbi mentalitetin politik të interesave personale. Propozimi i tij për Vjosa Osmanin – bartëse e listës së përbashkët LDK-LVV; dhe mospërmendja fare e emrit të tij – as si i dyti në atë listë; ishte kundër-përgjigjja më e denjë e tij, ndaj atyre që me vite na helmonin me akuzat për Albinin si: “diktator”, “marksist-leninist” apo “anti-përendimor”.

Fjalia e tij kryesore në atë ofertë ishte “ç’kapja e Republikës”, jo kreu i shtetit, që tejkaloi interesat e ngushta personale, për të mirë të synimit madhor.

Si ish anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së (1994-1997) dhe si i vetmi i dorëhequr nga kjo parti për shkak të përkrahjes / pjesëmarrjes në protestën e studentëve të 1 tetorit 1997; besoj se kam bagazh të mjaftueshëm kredibil për të mbështetur koalicionin: LDK-LVV.

Mos-arritja e këtij koalicioni, do t’i gëzonte, vetëm tregtarët e valixheve dhe të autobusëve njëdrejtimësh për zbrazjen e Kosovës.

(Kosova Sot Online)