Rusia njofton për armëpushim në rajonin Idlib të Sirisë

  • 30 August 2019 - 20:23
Rusia njofton për armëpushim në rajonin Idlib të Sirisë

Rusia ka njoftuar se të shtunën do të nisë së zbatuari një armëpushim nga forcat e Qeverisë siriane në rajon Idlib, të kontrolluar nga rebelët.

Marrëveshja e njëanshme do të nisë së zbatuari nga ora 6:00 në mëngjes, ka thënë ministria ruse e Mbrojtjes.

Forcat siriane kanë shtuar përpjekjet e tyre nga muaji prill për të kontrolluar sërish rajonin Idlib.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se qindra mijëra persona janë larguar nga ky rajon prej kësaj kohe dhe të paktën 500 civilë janë vrarë në këtë provincë me 3 milionë banorë.

Tentimet e së kaluarës për të ndalur luftimet kanë pasur pjesërisht sukses.

Ky njoftim vjen një ditë pasi koordinatori për ndihmë urgjente në OKB, Mark Lowcock, i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit që të marra masat e nevojshme për të mbrojtur civilët në Idlib. 

“Dhjetëra komunitete janë larguar, qytete dhe fshatra të tërë janë shkatërruar plotësisht”, ka thënë ai, duke iu referuar kohës prej kur ka dështuar armëpushimi i fundit.

Grupet monitoruese kanë thënë të premten se nga 7,000 deri në 9,000 civilë janë larguar nga qyteza, Maarat al-Numan vetëm në ditët e fundit.

Në kohën e rritjes së tensioneve, ka pasur edhe raportime për përleshje në një pjesë të kufirit mes Sirisë dhe Turqisë.

Idlibi, provincë në veriperëndim të Sirisë, është zona e fundit që drejtohet nga grupet rebele, të cilat kanë tentuar të rrëzojnë nga pushteti presidentin, Bashar al-Assad, prej kur ka nisur lufta civile më 2011.

Nga ajo kohë, kjo provincë është kontrolluar nga një numër i fraksioneve rivale.

(Kosova Sot Online)