Zhvillimet dramatike para orës 24: Ja çfarë po ndodhë me koalicionin LDK-Vetëvendosje

  • 30 August 2019 - 20:37
Zhvillimet dramatike para orës 24: Ja çfarë po ndodhë me koalicionin LDK-Vetëvendosje

Zhvillime të papritura: Albin Kurti e sfidon Isa Mustafën me një ofertë befasuese për koalicion

Në një postim në Facebook Albin Kurti e ka sfiduar të dalin bashkë në zgjedhje kurse kryeministrin le ta vendosë vota. I ka ofruar Vjosës që t’i prijë listës.

“Me këtë rast ne shprehim gatishmëri për një koncesion të madh: në listën zgjedhore nr.1 të jetë znj.Vjosa Osmani, kurse nr.2 kandidati ynë të cilin e vendos Këshilli ynë i Përgjithshëm (e të cilin për hir të korrektësisë ndaj bisedimeve tona ne ende nuk e kemi mbajtur). Numri 1 në listën garuese është bartës liste kurse numri 2 është përfaqësues i koalicionit”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë:

I nderuari Kryetar i LDK-së, Isa Mustafa,

E di që ne pajtohemi se Kosova është shtet i dobët sepse është shtet i kapur.

Sot, çkapja e shtetit nga mujsharët shpërdorues, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, është nevojë jetike dhe urgjente për Kosovën si dhe pritja themelore e qytetarëve të Republikës. Po ashtu, sjellja e investimeve në ekonomi, zhvillimi që rrit punësimin, nuk janë të mundura pa çlirimin e prokurorisë dhe gjyqësorit nga Klani Pronto.

Sot, koalicioni parazgjedhor i dy subjekteve tona është ajo që dëshirojnë dhe shpresojnë qytetarët tanë. Në zgjedhjet e fundit të 11 qershorit 2017, LAA fitoi 29 deputetë kurse LVV 32 deputetë. Ne atëherë i kishim së bashku 61 deputetë. Dalja e AKR-së nga LAA atëbotë e formoi qeverinë e PAN-it. Po u bëmë ne bashkë, efekti i sinergjisë është i garantuar dhe do të mund t’i arrinim 70 deputetë nga zgjedhjet reja dhe qeverisje stabile.

Në ofertën time të tetorit 2018, nuk jeni përgjigjur, mirëpo, ndërkohë kemi pasur takime e komunikime të rregullta e konstruktive. Bashkëpunimi opozitar LVV-LDK ka qenë faktor i rëndësishëm, mbase vendimtar, i shpëtimit të Kosovës nga pazaret territoriale me Serbinë. Hapat e bashkërenduar opozitar duhet t’i avansojmë në projekt të përbashkët për qeverisje të mirë.

I ngelur pa përgjigje për ofertën time të kahmotshme për bashkëqeverisje me LDK-në, vendimin e kryesisë së LDK-së për kandidatin e partisë suaj për kryeministër e mësova nga mediet. Takimet tona kanë qenë partneritet vleror. Kjo u ndryshua me fakte të njëanshme partiake që neve na u hodhën fytyrës.

Ne nuk mund t’ju nënshtrohemi vendimeve të Këshillit të Përgjithshëm të një partie tjetër. Ne jemi Lëvizja VETËVENDOSJE!. Kushtëzimet për kandidatin për kryeministër nuk mund t’i pranojmë.

Mirëpo, sot, duke pasur parasysh shansin unik për të hapur një kapitull të ri për shtetin tonë, ne propozojmë një alternativë të re për koalicion tonë. Le të garojmë me një listë të përbashkët si LDK dhe LVV, pa kandidat të paradhënë e të njëanshëm për kryeministër, por le të bëhet ajo ose ai që fiton më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Pra, znj.Vjosa Osmani, ose, kandidati ynë i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, varësisht cili merr më shumë vota.

Me këtë rast ne shprehim gatishmëri për një koncesion të madh: në listën zgjedhore nr.1 të jetë znj.Vjosa Osmani, kurse nr.2 kandidati ynë të cilin e vendos Këshilli ynë i Përgjithshëm (e të cilin për hir të korrektësisë ndaj bisedimeve tona ne ende nuk e kemi mbajtur). Numri 1 në listën garuese është bartës liste kurse numri 2 është përfaqësues i koalicionit.

Sot, le ta bëjmë këtë marrëveshje politike parimore e le ta dorëzojmë bashkë në KQZ. Në ditët në vijim e formojmë listën e plotë të kandidatëve dhe platformën tonë qeverisëse. Lista të jetë e baraspeshuar midis dy subjekteve ndërsa sipas numrit të deputetëve të fituar marrim përgjegjësitë në ekzekutivin e ardhshëm.

Dallimet që kemi janë të vogla përballë sfidave që na presin.

Duke shpresuar në përgjigjen tuaj pozitive, pranoni përshëndetjet tona.

Me nderime,

Albin Kurti, Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Prishtinë, 30 gusht 2019

Isa Mustafa i përgjigjet ofertës së Albin Kurtit, ja vendimi që mori

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa i është përgjigjur ofertës së Albin Kurtit për ofertën e bërë para pak minutash. Në këtë përgjigje të Mustafës është ripërsëritur qëndrimi i deritashëm i LDK’së që koalicioni të lidhet nën drejtimin e Vjosa Osmanit si kanidate për kryeministre.

Letra e plotë:

Letër drejtuar Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Z. Albin Kurti

I nderuari Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti

Gjatë muajve, javëve dhe ditëve të fundit, LDK-ja ka punuar shumë dhe hapur, për të arritur një marrëvveshje bashkëpunimi me VV-në, me qëllim që të lidhim koalicion parazgjedhor dhe për të garuar së bashku më 6 tetor.

LDK-ja me kohë e ka bërë të ditur se njeh dhe e vlerëson pritshmërinë e qyetarëve të Kosovës për këtë bashkëpunim.

LDK-ja është e hapur që marrëveshja të lidhet, nën drejtimin e kandidites sonë për kryeministre, znj. Vjosa Osmani.

Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e ka miratuar unanimisht kandidaturën e znj. Osmani, prandaj ajo e ka përkrahjen e plotë të LDK-së për të kryesuar listën si kandidate për kryeministre dhe për të fituar zgjedhjet.

LDK-ja është subjekti më i madh politik në Kosovë, ka besimin më të madh, ka përkrahjen më të madhe, prandaj edhe do ta udheheqë vendin.

Propozimi juaj shpie, nga gara me të tjerët, në garë ndëmjet nesh, ndërsa kjo do të dëmtonte seriozisht interesin e përbashkët.

Po ashtu, LDK-ja vlerëson se një listë pa një prijës të nominuar, është një listë pa krye dhe pa orientim të qartë.

LDK-ja shpreh gatishmërinë e plotë që të vijojë bashkëpunimin me VV-në, tani apo dhe pas zgjedhjeve dhe e konsideron atë si partner në kauzën për të shpëtuar vendin nga krimi, korrupsioni, zhvatja dhe për ta nxjerë vendin nga izolimi.

Me respekt, Isa Mustafa

Edhe Vjosa Osmani i përgjigjet Albin Kurtit: Ja pse nuk e pranojmë ofertën

Kandidatja e LDK’së për kryeministre, Vjosa Osmani, pas një takimi me krerët e partisë, ka thënë që LDK’ja qëndron prapa asaj që koalicioni me VV’në duhet të lidhet me një marrëveshje që LDK’ja do të ketë kandidatin për kryeministër.

Osmani ka thënë se oferta e Kurtit do ta zhvendoste garën brenda LDK’së dhe VV’së dhe në mes të votueseve të dy partive.

Sipas saj, dy partitë që deri dje ishin në opozitë luftën e kanë me PDK-AAK-në dhe NISMA-në dhe jo në mes vete.

Fjala e Vjosa Osmanit:

Përsëri faleminderit për durimin. Ne si LDK kemi vlerësuar të gjithë angazhimin për arritjen e një koalicioni me VV’në. Duam sërish që t’iu bëjmë atyre ofertë për bashkëpunim të sinqertë. Bashkëpunim në mirëbesim, e jo bashkëpunim në garë.

Ajo që ka propozuar LVV e shpien garën në mes nesh, ndërsa ne garën e kemi me PAN-in.

I presim sonte deri në mbyllje të afatit.

Ne nuk mund ta shpiejm garën në mes të votueseve të VV’së dhe LDK’së, dhe në mes meje dhe Albinit.

Kemi tejkaluar deri tani gjithçka. Prandaj i ftoj ata që të rimendojnë këtë casje, dhe ta ndryshojnë nga ajo për garë ndaj njëri tjetrit, në një casje për mirëbesim.

Ta pranojnë ofertën tonë, që të dalim fitues dhe të fitojë e gjithë Republika e Kosovës.

Përgjigjen e kemi thënë qartë, dhe shpresojmë të pranojë ofertën tonë me kandidate të LDK’së.

Sepse një listë pa krye është pa orientim. Qytetarët duhet ta dijnë se për kë votojnë. Cdo casje tejtër e shndërron tërë garën në garë të brendshme. Ne garën e kemi me partinë që e kanë kap shtetin.

Nuk duhet t’ua mundësojmë atyre që të krijojmë një luftë mes aktivistëve tonë.

Ne nuk duhet të bëjmë luftë për njeri tjetrin.

Pavarësisht se çfarë bëjnë partitë tjera, ne do të fitojmë.

Qytetarët janë bindur që t’i qojnë ata në opozitë.

Konjufca flet pas ofertës së Kurtit: Ja çfarë do të ndodhte po të bëheshim me LDK-në

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka folur pas refuzimit të ofertës së partisë së tij nga LDK’ja.

Pas shkëmbimit të letrave mes kreut të VV’së, Albin Kurti dhe atij të LDK’së, Isa Mustafa, Konjufca ka thënë se këto dy subjekte kishin mundësinë për të shkuar drejt një koalicioni që do të shënonte fitore të thjeshtë, po të mos refuzonte LDK’ja,

“Po të ndodhte koalicioni, askush më nuk do të kishte llogari as të mendonte diçka tjetër. Fitorja do të dihej dhe do të ishtë dërrmuese”, tha Konjufca.

Ai tha se pasi LDK’ja dhe kandidatja e tyre për kryeministre, Vjosa Osmani refuzuan ofertën e VV’së, tregon se ajo nuk ka siguri të mjaftueshme.

“Nëse e ki numrin 1 edhe nuk e ke sigurinë që do të bëhësh kryeministre, atëherë nuk e di cfarë kandidati je”, u shpreh ish-shefi i Grupit Parlamentar të VV’së.

Konjufca tha se duke i ofruar LDK’së që të shkojnë me një listë të përbashkët dhe pa kandidat për kryeministër, VV’ja ka bërë kompromisin më të madh, ndërsa LDK prapë refuzoi.

“Albin Kurti ka shkuar sot edhe kundër vullnetit të VV’së, duke ia bërë ofertën LDK’sëe, duke bërë kompromisin më të madh. LDK’ja me përplot gabime prej qeverisjeve të kaluara. Është e natyrshme që LDK’së do t’i binte barra e kompromiseve. Përkundër gjitha këtyre, VV doli nga vetja dhe ia bëri ofertën, të cilën LDK e refuzoi shumë shpejt”, tha Konjufca.

“Ata nuk po e pranojnë kandidatin tonë që ka shumë më shumë vota se Vjosa Osmani”, ka thënë nënkryetari i VV’së.

Ndryshe, përmes një letre publike, Kurti i ka ofruar Osmanit që të jetë numër një në listën e përbashkët zgjedhore dhe ai që merr më shumë vota në zgjedhje, të bëhet kryeministër.

Këtë e refuzoi LDK’ja, duke thënë se duke bërë garë të brendshme, Kurti e Osmani nuk do ta luftonin PAN’in, por njëri-tjetrin.

(Kosova Sot Online)