Zyrtari i lartë i VV-së e akuzon LDK-në: Ja me cilën parti po takohen për koalicion

  • 30 August 2019 - 20:43
Zyrtari i lartë i VV-së e akuzon LDK-në: Ja me cilën parti po takohen për koalicion

Anëtari i kryesisë së Lëvizjës Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka shkruar se pas refuzimit që ia bëri ofertës së Albin Kurtit, LDK’ja ka filluar negociatat me AAK’në për koalicion parazgjedhor vetëm pak orë para mbylljes së afatit për regjistrim në Komisionin Qendror Zgjedhor.

Svecla ka shkruar në Facebook se ka marrë vesh nga anëtarë të LDK’së dhe AAK’së se këto dy subjekte kanë filluar takimet.

“Siç edhe po na thojnë anëtarë të të dyja subjekteve, LDK-së dhe AAK-së, lideshipi i tyre tash po negocion që të ecin së bashku. Në fakt, do të ngecin së bashku”, thuhet në postimin e zyrtarit të VV’së. 

Ai thotë se kjo po ndodhë edhe përkundër se VV’ja e LDK’ja janë pajtuar që të mos negociojnë me partitë e tjera.

“Mos të harrojmë që zyrtarët më të lartë të LDK-së u zotuan së bashku me përfaqësuesit e Lëvizjes se as nuk do të takohen me subjekte tjera për të negociuar koalicion parazgjedhor. Dihet kush shkeli fjalën”, ka shkruar Svecla.

Ndryshe, përmes një letre publike, Kurti i ka ofruar Osmanit që të jetë numër një në listën e përbashkët zgjedhore dhe ai që merr më shumë vota në zgjedhje, të bëhet kryeministër.

Këtë e refuzoi LDK’ja, duke thënë se duke bërë garë të brendshme, Kurti e Osmani nuk do ta luftonin PAN’in, por njëri-tjetrin.

(Kosova Sot Online)