Mike Pompeo i beson Ballkanin/ Ja detyra e re e Matthew Palmer

  • 30 August 2019 - 23:30
Mike Pompeo i beson Ballkanin/ Ja detyra e re e Matthew Palmer

Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka emëruar Zëvendës Ndihmës Sekretarin Matthew Palmer si Përfaqësuesin e tij të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

“Në këtë rol, zoti Palmer do të udhëheqë përpjekjet tona për të forcuar angazhimin diplomatik amerikan në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe begatisë në rajon dhe për t’u përqëndruar në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet perëndimore", thuhet në deklaratën e DASH.

Departamenti amerikan i Shtetit njofton se si Përfaqësues i Posaçëm, zoti Palmer do të shkojë në Slloveni duke filluar nga 1 shtatori për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit.

Ai gjithashtu do të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara në takimin e Drejtorëve të Quint-it për Ballkanin në Bruksel dhe do të marrë pjesë në takime në Vjenë dhe Podgoricë, nga 4 deri më 10 shtator.

Përveç shërbimit si Përfaqësues i Posaçëm i Sekretarit, zoti Palmer do të vazhdojë të jetë Zëvendës Ndihmës Sekretar në Zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, një post që ai mban që nga viti 2018.

Më parë, ai ka qenë Drejtor i Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore. 

Ndërkohë ka qenë tepër aktiv edhe me situatën politike në Shqipëri duke e vizituar vendin tonë disa herë...

CV e Matthew Palmer:

Ai ka mbaruar bachelorin në vitin 1988, ndërsa masterin në NWC e ka kryer në vitet ‘07-‘08.

Sipas informacioneve që ai ka postuar në profilin e vet në Linkedin veçojmë:

Midis ‘93-‘95 ka punuar si këshilltar ambasade në Beograd. Ka ofruar informacion për Uashingtonin në lidhje me çështjet politike dhe ekonomike të kohës. Është cilësuar nga drejtori i CIA si “mbledhës i jashtëzakonshëm i inteligjencës njerëzore”

Midis ‘95-’97 ka punuar për Madlenë Albright në OKB për rajonin e Mesdheut dhe të Azisë së Jugut.

Midis ’97-99 ka koordinuar aspektet e politikës së SHBA ndaj Serbisë dhe Malit të Zi dhe vëçanërisht në menaxhimin e krizës së Kosovës. Ka shërbyer si zëvendësshef i delegacionit amerikan në bisedimet e paqes për Kosovën në Rambouillet të Francës.

Midis ‘99-'02 ka qenë pjesë në atë që njihet si “the Kimberly Process.”

Gjatë presidencës Bush i Riu, punon mbi marrëdhëniet bilaterale me Qipron dhe më pas këshilltar i Presidentit për Egjeun dhe Kaukazin e Jugut.

Në mandatin e parë të presidentit Obama punon për rajonin e Azisë së Jugut ndërsa në mandatin e dytë kalon si këshilltar politik në ambasadë në Beograd.

Nga gushti i 2016 deri në janarin e 2018 rikthehet në Departamentin e Shtetit në zyrën për marrëdhëniet me Europën Qëndrore-Jugore.

Në janar 2018 emërohet si Zëvendës Ndihmës Sekretar në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike.

(Kosova Sot Online)