“Dosjet e rënda”, vjen kërkesa urgjente për Kosovën

  • 31 August 2019 - 07:42
“Dosjet e rënda”, vjen kërkesa urgjente për Kosovën

Vettingu, procesi i harruar në Kosovë që askush nuk ka guximin ta fillojë...

Analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, thonë se shteti i Kosovës ka nevojë që t’i nënshtrohet procesit të Vetting-ut pothuajse në të gjitha fushat, mirëpo një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur pasi edhe legjislativi i deritashëm nuk e kishte guximin të marr një nismë të tillë.

Sipas politologut, Ramush Tahiri Kosova ka nevojë urgjente që t’i nënshtrohet Vettingut.

Image

“Kosova si shtet ka pasur nevojë që të hyjë në procesin e Vettingut ose pastërtisë së figurës nga çdo veprim apo akuzë në të kaluarën për personalitetet që janë të rëndësishëm, pra në funksione me përgjegjësi apo në institucione jo vetëm shtetërore por edhe ekonomike bankare e financiare, kulturore të medieve e sidomos në polici në prokurori dhe në gjyqësi”, është shprehur Tahiri për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, duhet hapur të gjitha dosjet për personat e caktuar për bashkëpunimin me ish shërbimin sekret jugosllav dhe shërbimet tjera të huaja.

"Duke marrë parasysh që Republika e Kosovës doli si shtet nga ish-Jugosllavia dhe se gjatë viteve 1997-99 u zhvillua lufta e armatosur kundër pushtetit të Serbisë e udhëhequr nga UÇK-ja, atëherë për të tashmen dhe të ardhshmen e shtetit duhet verifikuar dhe hapur dosjet institucionalisht jashtë publikut për personat e caktuar në drejtim të bashkëpunimit me ish shërbimin sekret jugosllav e posaçërisht serb dhe gjithashtu angazhimin edhe për shërbimet e huaja që kanë punuar kundër dhe për destabilizimin e Kosovës", tha Tahiri për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, politika me duar të pastra, nuk mund të bëhet pa njerëzit me të kaluar të pastër. Sipas Tahirit, përvojat e vendeve si Çekia apo Gjermania, Kosova duhet t’i shfrytëzojë nëse dëshiron të jetë një shtet i suksesshëm.

"Para se gjithash një shtet demokratik me rend dhe sundim të ligjit. Vetëm në këtë mënyrë këputen lidhjet kriminale ndërkombëtare që po e fundosin Kosovën dhe që po e bëjnë një shtet nga i cili rinia po dëshiron të ikë duke mos e pa perspektivën e as mundësinë që gjërat të ndryshohen për të mirë", përfundoi politologu, Ramush Tahiri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)