Haradinaj flet për taksën, arrestimin e gylenistëve dhe koalicionin me Shpend Ahmetin

  • 31 August 2019 - 09:33
Haradinaj flet për taksën, arrestimin e gylenistëve dhe koalicionin me Shpend Ahmetin

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj ka qenë i ftuar mbrëmë në një emisionin televiziv, ku ka folur për taksën 100% ndaj mallrave serbe, arrestimin e gylenistëve, koalicionin mes partisë së tij dhe PSD-së së Shpend Ahmetit dhe kandidimin e Vjosa Osmanit për kryeministre nga LDK-ja.

Haradinaj ka thënë se Kosova i ka bërë bllok Serbisë me taksën 100%.

“Qytetari i Kosovës sigurisht për herë të parë e ka parë se si është kur shteti i bën Serbisë bllok, si rasti me taksën 100%, efektet e saj të shpejta, pastaj vendimi për Trepçën, sundimi i ligjit në veri, aty ku ka pasur ndërhyrje ndaj krimit të organizuar dhe shkelësve të ligjit”, ka thënë Haradinaj në emision.

Haradinaj është shprehur i bindur se të gjithë qytetarët e Kosovës qendrojnë prapa kauzës 100% shtet dhe forcimi i shtetësisë së Kosovës, andaj veprimet e qeverisë janë bazë e mirë për forcim të pozicionit të shtetit, zhvillim ekonomik dhe sundim të ligjit.

 Ai ka treguar se si ish-shefi i AKI’së, Driton Gashi, nuk e kishte lajmëruar Haradinajn fare në arrestimin e gylenistëve.

“Gashi ka qenë i detyruar t’i raportojë kryeministrit dhe presidentit të vendit, ai mua nuk më ka raportu për rastin dhe unë automatikisht e kam shkarku”, ka theksuar Haradinaj duke bërë me dije se ai për rastin e Gylenistëve i ka raportuar vetëm presidentit Thaçi.

E sipas Haradinajt, kjo ka qenë edhe arsyeja pse e ka shkarkuar Gashin.

“Unë nuk e kam emëru Gashin, unë vetëm e kam shkarku atë për arsye se nuk më ka lajmru për rastin”, ka sqaruar Haradinaj.

Haradinaj ka deklaruar se bisedimet për koalicion parazgjedhor me PSD’në kanë qenë më konkrete për dallim me Nismën Socialdemokrate dhe Aleancën Kosova e Re.

Haradinaj tregon gjithashtu se nuk ka pasur oferta dhe negociata me partitë e tjera por që me Nismën dhe AKR’në e kanë lënë derën e hapur.

“Jo as nuk kemi pasur ofertë as negocim, vetëm PSD i kemi bë ofertë më direkt, e kemi lënë të hapur mundësinë për Nismën e AKR” deklaroi Haradinaj.

Ai deklaroi se diskutimet me PSD’në kanë qenë konkrete dhe kjo ka bërë që të ketë një marrëveshje mes tyre, madje sipas tij ka ndikuar shumë edhe votimi i Ushtrisë dhe buxhetit që PSD e ka bërë sa ishte në opozitë.

Haradinaj është shprehur se ai nuk e ka pritur që LDK do ta kandidojë Vjosa Osmanin për kryeministre të vendit duke pasur parasysh marrëdhëniet e ftohura që ajo i ka pasur më Mustafën në të kaluarën.

“Se kam prit që do të ndodh, nuk e kam prit” tha Haradinaj duke shtuar se “ nuk kam besuar që LDK do të arrijë tek kjo kandidaturë, duke pasur parasysh marrëdhëniet e ftohta që i kanë pasur në të kaluarën”.

Ai shtoi se deri tani Vjosa Osmani ka qenë vetëm deputete tani mbetet të shihet se çfarë do të ofrojë.

Ndërsa për Albin Kurtin, ai shtoi se është gjatë në skenën politike dhe se përparësi e tij është që nuk ka qenë në qeveri më parë.

“Albini është gjatë në tema politike, përparësi teorike është që në qeveri nuk ka qenë ndonjëherë” tha ai.

Ndërsa për Kadri Veselin, ai nuk pranoi të komentojë shumë, por tha se “përvoja ime me të nuk ka qenë në ekzekutiv sepse ai ka qenë kryetar parlamenti”. 

(Kosova Sot Online)