Një shtetas i Kosovës ka vdekur në Serbi, kërkohet ndihmë për kontakt me familjarët e tij

  • 31 August 2019 - 12:11
Një shtetas i Kosovës ka vdekur në Serbi, kërkohet ndihmë për kontakt me familjarët e tij

Një shtetas i Kosovës nga komuniteti rom me emrin Imer Kerelaj, nga Gjakova, muajin e kaluar ka vdekur në Serbi dhe ende nuk i është mundësuar kthimi në Kosovë për t’u varrosur.

Ai ka vdekur më datën 17 korrik 2019 në ora 08.21 të mengjesit në Spitalin Krahinor të Vojvodinës në Novisad.

Kryetar i Amzes së Shqipëtarëve në Serbi, Demo Berisha, ka njoftuar se është telefonuar nga spitali për vdekjen e tij, ku më pas, Berisha ka njofuar Policinë Rajonale të Gjakovës, të cilët i kanë thënë këtij të fundit se me këtë punë merret Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJ).

Berisha, në njoftimin e tij thotë se edhe pse MPJ e kishte kontaktuar zyren ndërlidhëse në Beograd, ende nuk është ndërmarrë diçka konkrete për kthimin e tij në Kosovë.

Kryetar i Amzes së Shqipëtarëve në Serbi, sot sërish është njoftuar për herë të fundit, ku në rast se nuk ndërmerret diçka për kthimin e të ndjerit në Kosovë, ai do të varroset në varrezat e paidentifikuara në Serbi, raporton Korrespodenti.

Mësohet se i ndjeri Imer Kerelaj kishte shkuar në Vojvodinë për të punuar. Ai ishte sëmurë dhe kishte shkuar në Spitalin Krahinor të Vojvodinës në Novisad për t’u shëruar, ku pas tri dite ka vdekur.

Kryetar i Amzes së Shqipëtarëve në Serbi, Demo Berisha, ka bërë apel nëse dikush njeh familjen e tij në mënyrë që të bie në kontakt me ta për kthimin e tij për t’u varrosur në Kosovë.

(Kosova Sot Online)