Plani i ShBA’së për bisedimet Kosovë-Serbi përmes të dërguarit Metthew Palmer

  • 31 gusht 2019 - 13:13
Plani i ShBA’së për bisedimet Kosovë-Serbi përmes të dërguarit Metthew Palmer

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Metthew Palmer, do të jetë Përfaqësues i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor.

Ky veprim i SHBA-së po konsiderohet si një përpjeke për të filluar dialogun e ngecur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – momente që pritet t’i japë fund një mosmarrëveshjeje të gjatë në Evropën Juglindore.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian midis Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve u ndërprenë në nëntorin e kaluar, kur Kosova e vendosi taksën 100% ndaj produkteve serbe dhe u zotua se do ta heq atë vetëm pasi Serbia ta njohë sovranitetin e saj, shkruan foreignpolicy.com.

Për disa ekspertë, emërimi i parashikuar i Palmerit është një zhvillim i mirëpritur në një rajon që shpesh anashkalohet nga politikëbërësit e lartë amerikanë.

“Emërimi i një të dërguari të ri special për Ballkanin tregon qartë se Shtetet e Bashkuara po përfshihen shumë më tepër në këtë çështje në mënyrë zyrtare,” tha Daniel Vajdich, një ekspert i politikës së jashtme që ndjek rajonin dhe ka punuar për çështjet evropiane.

“Sipas mendimit tim kjo rrit gjasat që ne do të gjejmë një lloj zgjidhjeje për këtë çështje para përfundimit të administratës Trump”.

Por përpjekjet e njëpasnjëshme të liderëve të lartë të BE, përfshirë edhe shefen e politikës së jashtme Federica Mogherini, për të ndihmuar në lehtësimin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, deri më tani kanë qenë të pasuksesshme.

Një zyrtar tjetër aktual që e njeh politikën e jashtme ka folur në kushtet anonimiteti për foreignpolicy – ai ka vënë në dyshim arritjen e një marrëveshje pozitive edhe pas emërimit të Palmer nga Amerika.

Emërimi i pritshëm i Palmer vjen pas takimit midis Sekretarit të Shtetit amerikan Mike Pompeo dhe Presidentit serb Aleksandar Vuçiq në New York në fillim të këtij muaji.

Pompeo i kërkoi Vuçiqit të rifillonte bisedimet me Kosovën.

Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, tregoi vitin e kaluar që Shtetet e Bashkuara do të mbështesin një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, përfshirë këtu edhe një marrëveshje të mundshme që përfshin shkëmbimin e territorit midis dy vendeve.

(Kosova Sot Online)