Burri i Vjosa Osmanit: Në MPJ punoj qe 15 vjet, u diskriminova disa herë

  • 31 August 2019 - 22:01
Burri i Vjosa Osmanit: Në MPJ punoj qe 15 vjet, u diskriminova disa herë

Burri i Vjosa Osmanit, Prindon Sadriu, ka shpjeguar gradimin e tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai ka treguar se në MPJ punon qe 15 vjet, para se të martohej me nënkryetaren e LDK’së, ndërsa thotë se është i vetmi diplomat senior që nuk u angazhua nga asnjë ministër për shërbim jashtë vendit.

Sadriu kishte shkruar me 26 korrik një postimi në Facebook se gradimi i tij përveç që ishte në përputhje të plotë me ligjin për Shërbimin e Jashtëm, ministria kishte vepruar në kundërshtim me ligjin për vonimin e gradimit të tij.

Ai thotë se këto shpifje po dalin në kohën kur gruaja e tij po pretendon të bëhet kryeministre.

Burri i kandidates për kryeministre nga radhët e LDK’së thotë se joligjor është mohimi që i është bërë atij për t’u graduar.

“Çka mbetet joligjore megjithatë, është mohimi për t’u graduar — si e drejtë ligjore — që më është bërë nga titullarët e Ministrisë së Jashtme nga viti 2008 deri më 2016”, shkruan Sadriu.

Veprimin e mosgradimit Sadriu e quan të kundërligjshëm sepse Komisioni për Grada dhe Disiplinë kishte vendosur në dobi të tij për t’u graduar.

“Kjo sepse në takim e parë të Komisionit për Grada dhe Disiplinë në historinë e Ministrisë, të mbajtur më datë 19 prill 2010 numër reference MPJ-ZSP 106/2010, ky Komision ka vendosur PËR të drejtën time për t’u graduar”, arsyetoi Sadriu.

Madje Sadriu thotë se është diskriminuar nga ministrat e jashtëm, sepse tregon se është i vetmi diplomat që asnjëherë nuk është caktuar për shërbim jashtë vendit.

 “Për sqarim të mëtutjeshëm të opinionit, më duhet të theksoj se deri te ky Vendim, mbetem diplomati i vetëm, më senior në Ministri i cili asnjëherë NUK është caktuar nga asnjë Ministër për të shërbyer me mandat të plotë jashtë vendit”, shkruan Sardiu.

Shkelje tjetër, sipas Sadriut, ministrat e periudhës 2008-2016 kishin bërë edhe kur i kishin mohuar të drejtën për ushtrim të ankesës për mosdhënie të gradës.

“Për më shumë, duke mbajtur çështjen e gradimit tim pezull, këta ministra më kanë mohuar edhe të drejtën për ushtrim të Ankesës për mosdhënie të gradës si e drejtë ligjore, në shkelje të nenit 16 të Rregullores për Shërbimin e Jashtëm”, shkruan Sadriu.

Sadriu kishte synuar edhe postin e ambasadorit, por sipas tij ky post padrejtësisht nuk ka arritur ta fitojë.

“Për dallim nga disa të cilët kanë arritur në pozitën e Ambasadorit brenda 2-3 viteve (disa edhe brenda natës), unë edhe pas 14 viteve përvoje pune profesionale dhe menaxheriale, padrejtësisht nuk kam arritur t’a mbajë gradën e ambasadorit”, shkruan Sadriu.

Krejt në fund Sadriu thotë se ai dhe familja e tij vazhdimisht janë paralajmëruar se do të ketë shpifje të ulëta, qëllimi i të cilave është denigrimi i punës dhe integritetit. Reagim ky i cili erdhi sepse sipas Sadriut këto shpifje po dalin me tendencë pikërisht në kohën kur Vjosa Osmani pretendon postin e kryeministres.

“Unë dhe familja ime jemi paralajmëruar që gjatë kësaj periudhe do të ketë shpifje të tilla të ulëta me qëllim të denigrimit të punës dhe integritetit tonë. Megjithatë, po e publikoj këtë reagim për hir të opinionit publik edhe pse tashmë është e qartë se me çfarë tendence po dalin këto shpifje pikërisht në këtë periudhë”, shkruan Sadriu. 


(Kosova Sot Online)