Ndarja e Kosovës, eksperti amerikan pyet se si do ta tejkalojë Trump-i Merkelin

  • 01 shtator 2019 - 09:45
Ndarja e Kosovës, eksperti amerikan pyet se si do ta tejkalojë Trump-i Merkelin

Profesori amerikan, Edward Joseph, emërimin e Matthew Palmer si përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor po e sheh si një vendim jashtëzakonisht të rëndësishëm, pasi sipas tij një vendim i tillë i Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, tregon që SHBA’ja po bën përpjekje për të rritur përkushtimin për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Emërimi i një përfaqësuesi special nuk është një vendim i lehtë për t’u marrë. Qëllimi është që ai të flas si përfaqësues dhe të ketë respekt më të madh pasi që do të flas direkt në emër të Sekretarit të Shtetit. Është e qartë që tregon qëllimin e SHBA’së për të pasur ndikim sa më të madh në rajon, dhe me siguri për të pasur një zgjidhje të problemit të Kosovës, ndër të tjera”, ka thënë ai.

Joseph thotë se Palmer është një diplomat i aftë dhe i përkushtuar, dhe i aftë për dinamikën me të cilën po zhvillohen ngjarjet në Ballkanin Perëndimor.  Sipas tij ai mund të jetë shumë i dobishëm për jetësimin e qëllimeve të SHBA’së.

Megjithatë një çështje problematike që shtrohet është se cilat do të jenë qëllimet e administratës aktuale të SHBA’së dhe a  do të bëhet ndonjë përpjekje për një zgjidhje përmes idesë së korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve. 

“A është për të shpejtuar përpjekjet për të arritur një zgjidhje të rrezikshme për ndarjen e Kosovës? Nëse po si do të adresohen aspektet negative të kësaj ideje. Po në lidhje me paralajmërimet publike, jo vetëm nga ekspertë si unë por edhe nga zyrtarë të vendeve fqinje në rajon se ata do të duhet të jetojnë me pasojat e një zgjidhje të tillë . Si do të tejkalohet kundërshtimi nga disa vende, veçanërisht nga Gjermania?” pyet eksperti për Ballkanin.

Për një kthim të idesë së ndarjes së Kosovës ditë më parë ka ngritur shqetësime edhe deputeti i Parlamentit Evropian, Eduard Kukan, në një intervistë për EWB.

“Unë pres që çështja e njohjes së Kosovës përmes idesë së shkëmbimit të territoreve do të kthehet prapë. Sido që të jetë, ajo mund të destabilizojë fqinjët e Bosnje e Hercegovinës” ka thënë Kukan teksa ka treguar kundërshtinë e tij për një ide të  tillë të prekjes së kufijve.

(Kosova Sot Online)