‘Formula e shpëtimit me 6 tetor’, vjen thirrja e fortë për kosovarët

  • 01 September 2019 - 15:40
‘Formula e shpëtimit me 6 tetor’, vjen thirrja e fortë për kosovarët

Tashmë asnjëri nga kandidatët për kryeministër nuk ka prezantuar asnjë listë me emrat e kabinetit qeverisës, të cilin do ta krijonin në rast të një fitoreje...

Edhe pse Kosova quhet shtet demokratik, duke vlerësuar rrugëtimin e deritanishëm 20 vjeçar në këtë realitet të ri, njohësit e zhvillimeve politike në vend dhe jashtë tij, konsiderojnë se në të vërtetë në qeverisjen dhe shtetësinë e Kosovës më së paku ka demokraci, e më së tepërmi diktaturë moderne.

Ky fenomen, sipas analistit politik Hysni Aliut, që jeton dhe vepron në Finlandë, është parë edhe në proceset e deritanishme zgjedhore nëpër të cilat ka kaluar Kosova, e që tani një proces të tillë e kemi para dhe më 6 tetor.

Image
Hysni Aliut

“Kosova udhëhiqet nga oligarkët e vegjël, në krahasim me oligarkët e mëdhenj botërorë, por megjithatë janë oligark mjaft të mëdhenj, mjaftueshëm për ta shtypur dhe kontrolluar çdo zë ndryshimi për të mirë. Këta oligarkë, kanë arritur që me rrjetin e tyre të sofistikuar ta kontrollojnë çdo hallkë të funksionimit të shtetit dhe çdo individ në institucione, ose duke e detyrua ta përkrahë ose më së pakti të heshtë”, tha Hysni Aliu për “Kosova Sot Online”.

Prandaj sipas Aliut, edhe në këto zgjedhje, kandidatët për kryeministër nuk duan që para qytetarëve të prezantojnë listën e ministrave potencial, dhe kështu të bëhen transparentë në garën e hapur elektorale, sikur që garohet nëpër shumë vende të demokraci të zhvilluar e shtet ligjor. 

“Kur diçka në shtet orientohet nga oligarkët dhe parja e pistë, atëherë është e pamundshme që ekspertët e fushave të caktuar të udhëheqin me shtetin, përkundrazi, aty zgjidhen ekspertët e hajnisë, që vjedhin, bëjnë krimin dhe kurrë "s’mundesh ti gjesh fajtor" . Aq më pak mundë të pritet në këtë kohë që oligarkët të dalin me emra ekspertësh, edhe po të ishte dëshira e ndonjërit prej kandidatëve për kryeministra si konkretisht Albin Kurtit ose Vjosa Osmanit, sepse do të ju gërryhej dheu ndër këmbë që gjatë fushatës dhe edhe si individ do të shkonin kah dështimi ende pa filluar gara”, tha Aliu për “Kosova Sot Online” .

Madje ai thotë se e ka frikën që edhe pas zgjedhjeve, individët e përmendur Albin Kurti e Vjosa Osmani nëse i fitojnë ato, nëse nuk e kanë përkrahjen e plotë nga bashkësia ndërkombëtare, përkrahje konkrete, politike, dhe posaçërisht të sigurisë me ekipet e tyre të inteligjencës dhe mbrojtjes, nuk do të munden të bëjnë shumë në çrrënjosjen e oligarkisë dhe kriminalitetit që dominon Kosovën.

Sipas Hysni Aliut, në këtë çështje ndihmën më të madhe do të mundë ta jep qytetari i vetëdijesuar që do të pozicionohej për ndryshime.

“Një realitet që më gëzon, është që shumica e popullit dhe mendjet e tyre të ndritura janë lodhë me këtë kriminalitet dhe dhunim të demokracisë, kështu që votën do ta dërgojnë aty ku duhet, pra për figura të reja politike që nuk kanë qenë të përfshira në rrënimin e shtetit dhe për ata individ që kanë treguar qëndrueshmëri në tendencat për ti përfshirë në rrjetin e oligarkëve dhe dhunuesve të shtetit. Populli nuk duhet të votoj mashtruesit e dy dekadave, duke mos ju dhënë mundësinë që të mashtrojnë sërish. Duke i votuar figurat e reja, do të ju shkëputej lidhja oligarkëve me parlamentin e Kosovës, vendi ku ose rrënohet ose i vënë themelet demokracia, ku deri më tani aty është rrënuar demokracia dhe shtetësia e Kosovës”, tha për “Kosova Sot Online” analisti Hysni Aliu.

Ai ka thënë se edhe mërgata, kësaj here është e mobilizuar dhe duhet të vërshoj akoma më shumë për të votuar figurat e reja.

“Vota e mërgatës do ta bënte ndryshimin, për këtë jam shumë i sigurt. Populli duhet të kërkoj kualitet në qeverisje, me emër e mbiemër ekspertësh që do të udhëheqin politikat qeverisëse, e jo qeveri e cila udhëhiqet nga ata që kanë dhënë më shumë para për ti fituar zgjedhjet, sepse shteti sërish do të kontrollohet nga oligarkët, me një ndryshim që ata do i takojnë një partie tjetër”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”.

Prandaj sipas tij është koha e fundit që të votojmë për një Kosovë Evropiane, demokratike, dhe për një Kosovë ashtu siç duam ta kemi pas 20 vitesh e pse jo pas 100 vitesh.

(Kosova Sot Online)