Hyn në ditën e pestë djegia e maleve në kufi me Shqipërinë, shteti në fushatë

  • 01 September 2019 - 16:07
Hyn në ditën e pestë djegia e maleve në kufi me Shqipërinë, shteti në fushatë

As pas pesë ditësh, zjarrfikësit nuk kanë arritur që t’i shuajnë zjarret që kanë përfshirë Bjeshkët e Rekës së Keqe që gjenden në afërsi të kufirit Kosovë-Shqipëri, përkatësisht në fshatin Popoc të Gjakovës. Zjarrfikësit në këtë komunë thonë se nga zjarri nuk janë të rrezikuar banorët dhe shtëpitë, por se gjendja vetëm sa po shkon duke u përkeqësuar.

Komandanti i Zjarrfikësve në Gjakovë, Xhavit Jashari, i ka thënë Gazetës Express se gjendja është katastrofale, por thotë se banorët dhe shtëpitë nuk janë të rrezikuara.

Jashari thotë se zjarri vetëm sa po përhapet edhe në pjesën e fshatrave.

 “Është e vërtetë që gjendja është katastrofike. Por, shtëpitë edhe banorët për momentin nuk janë në rrezik. Sipërfaqja që është përfshirë nga zjarri është shumë e madhe, edhe zjarri veç sa po vjen më poshtë. Për momentin janë 35 zjarrfikës edhe zyrtarë që i ruajnë ruajtjen e pyjeve”, thotë Jashari.

Image

Ai deklaron se për këtë gjendje janë të njoftuara të gjitha institucionet, por se nuk po ndërmarrin ndonjë veprim. Jashari thotë se nuk po arrijnë që ta shuajnë zjarrin shkaku i erës, terrenit të papërshtatshëm dhe mungesës së mjeteve.

“Jemi në kontakt me Drejtorin e Emergjencave të Komunës së Gjakovës. Vazhdimisht jemi në kontakt. Të gjittha institucionet janë të njoftuara. Dje i kam pas në ndihmë zjarrfikësat e Prizreni, Rahovecit, Junikut. Terreni është shumë i papërshtatshëm edhe s’po kemi mundësi me u afru për me shu zjarrin. Ky është problemi më i madh, edhe era po është shumë në jo favor tondin”, ka thënë Jashari.

Image

Ndërkohë, se gjendja atje po shkon duke u përkeqësuar dëshmohet edhe në disa fotografi që kanë dërguar  Kodrat që shihen në këto foto gjenden në Babaj të Bokës.

Deri tani nuk ka pasur ndonjë reagim nga intstitucionet për këtë rast..

 

Image


Kosova Sot Online