Johnson i kërcënon me largim nga partia deputetët rebelë

  • 02 September 2019 - 10:21
Johnson i kërcënon me largim nga partia deputetët rebelë

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka kërcënuar se do t’i përjashtojë nga partia e tij të gjithë deputetët që votojnë kundër planit të qeverisë për Brexit-it. Ky paralajmërim pritet t’i shtojë edhe më shumë tensionet politike në këtë shtet.

Një burim i lartë i Partisë Konservatore, i cili është përgjegjës për zbatimin e rregullave në parti, tha se secili deputet i tyre, i cili voton kundër qeverisë këtë javë, do të përjashtohet nga partia dhe do t’i ndalohet pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme në listën e tyre.

“Deputetëve të Partisë Konservatore sot po u jepet një porosi shumë e thjeshtë. Nëse nuk e votojnë planin e qeverisë të martën, ata do ta shkatërrojnë pozicionin negociues të qeverisë dhe do t’ia dhurojnë kontrollin e kuvendit Jeremy Corbyn-it (liderit të opozitës)”, tha ky burim.

Beteja për Brexit-in pritet të hyjë në fazën përfundimtare këtë javë, kur deputetët e të gjitha partive opozitare do të përpiqen ta ndryshojnë ligjin ose qeverinë. Ata po synojnë që ta shmangin Brexit-in pa marrëveshje me BE-në për shkak të dëmeve ekonomike që do t’i sillte një veprim i tillë.

Jeremy Corbyn, lideri i Partisë Laburiste në opozitë, pritet të deklarojë të hënën në kuvend se është i gatshëm të bëjë gjithçka që është e mundur për ta parandaluar Brexit-in pa marrëveshje, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)