Hajnat e lanë veturën e ndezur, policia jep detaje për grabitjen në Shtime

  • 02 September 2019 - 12:56
Hajnat e lanë veturën e ndezur, policia jep detaje për grabitjen në Shtime

Mëngjesin e së hënës një filial i një banke në Shtimë është grabitur nga persona të panjohur. Ende nuk dihet shuma e vjedhur e as nuk janë kapur të dyshuarit.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, ka thënë për media se është gjetur vetura e grabitësve.

“Vetura është gjetur e ndezur në terrenet e fshatit Jezerc, po punohet në gjetjen e të dyshuarve”, ka thënë Gashi.

Ndërkohë në një njoftim pas grabitjes, policia ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 08:15, ndërsa ende nuk dihet shuma e parave të grabitura.

“Sot rreth orës 08:15, në rrugën “Tahir Sinani” ka ndodhur një rast grabitje me armë kur në lokalet e bankës kanë hyrë katër persona të armatosur me armë të gjata dhe nën kërcënimin e armës, nga punëtorja kanë kërkuar që t’i dorëzojë paratë nga arka, shuma nuk dihet për momentin. Me këtë rast ka pasur edhe shkrepje arme në ajër nga ana e një të dyshuari por nuk ka persona të lënduar”, thuhet në njoftimin e policisë.

(Kosova Sot Online)