Johnson po i shqyrton zgjedhjet e reja për ta fituar betejën e Brexit-it

  • 02 September 2019 - 14:59
Johnson po i shqyrton zgjedhjet e reja për ta fituar betejën e Brexit-it

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, po e shqyrton mundësinë e kërkimit të zgjedhjeve të reja, nëse deputetët që po e kundërshtojnë Brexit-in pa marrëveshje do ta mposhtin me vota qeverinë e tij këtë javë.

BBC-ja raporton se në qeverinë britanike janë duke u zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta lidhur me kërkesën që mund t’i dorëzohet kuvendit për miratimin e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Raportohet se ky vendim mund të merret këtë të mërkurë, por nga qeveria ende nuk është ndërmarrë ndonjë masë zyrtare për këtë çështje.

Ish-ministrat e Partisë Konservatore i kanë bashkuar forcat me Partinë Laburiste për ta parandaluar largimin e Britanisë së Madhe pa marrëveshje nga Bashkimi Evropian më 31 tetor.

Në kohën e shtimit të spekulimeve për mundësinë e zgjedhjeve të reja, kryeministri Johnson ka vendosur ta thërrasë një takim të paplanifikuar me kabinetin e tij qeveritar të hënën në orën 17 sipas kohës lokale. Ai më vonë do të mbajë fjalim edhe para deputetëve konservatorë.

Kryeministri i ri ka thënë se Britania duhet të largohet nga Bashkimi Evropian më 31 tetor, me apo pa marrëveshje, duke e nxitur reagimin e disa deputetëve të partisë së vet, të cilët janë kundër kësaj ideje.

Ai i ka paralajmëruar deputët rebelë brenda Partisë Konservatore se do t’i përjashtojë nga partia dhe nuk do t’ua lejojë pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme, nëse votojnë kundër planit të qeverisë, shkruan “BBC”.

Kosova Sot Online