Dy të burgosurit që u larguan sot nga Burgu i Smrekonicës janë të dënuar për vjedhje e grabitje

  • 02 September 2019 - 16:04
Dy të burgosurit që u larguan sot nga Burgu i Smrekonicës janë të dënuar për vjedhje e grabitje

Një 31-vjeçar nga Deçani bashkë me një 24-vjeçar nga Fushë Kosova janë larguar nga Qendra Korrektuese në Smrekronicë në orët e para të mëngjesit. Ata gjendeshin në vuajte të dënimit për vjedhje të rëndë dhe grabitje, derisa lirimi i tyre parashihej të bëhej vitin e ardhshëm. Media  ka kontaktuar me zyrtarë të Shërbimit Korrektues, të cilët kanë treguar se si dy të rinjtë ia dolën të largohen nga qendra.

Dy të burgosur që ishin në vuajtje të dënimit në Burgun e Smrekonicës kanë arritur që të ikin prej aty në orët e para të mëngjesit. Bëhet fjalë për një 31-vjeçar nga Deçani me inicialet Sh.H, dhe një 24-vjeçar nga Fushë Kosova me inicialet T.A.

Në Shërbimin Korrektues të Kosovës i kanë dhënë medias se Sh. H ka qenë në vuajtje të dënimit për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, dhe se lirimi i tij pritej të bëhej më 24 janar të vitit 2020.

“Sh. H, është dënuar për veprën penale: Vjedhje e rëndë, ishte në vuajtje të dënimit prej 09.01.2018, në Dubravë. Nga Q.K. Dubravë në Q.K. Smrekonicë  është transferuar më datën 23.09.2018, dhe lirimi i tij pritej të bëhej më 24.01.2020”, ka thënë zëdhënësi i SHKK’së, Florent Gashi.

Ndërkohë, 24 vjeçari thotë se është në vuajtje të dënimit për grabitje që nga 12 qershori i vitit të kaluar.

“T.A, është i dënuar për veprën penale; Grabitje, ishte vuajtje të dënimit prej 12.06.2019  në Dubravë. Nga Q.K. Dubravë në Q.K. Smrekonicë është transferuar më datën 13.07.2019, dhe lirimi i tij pritej të bëhej më, 12.06.2020”, ka treguar Gashi.

E për tu larguar prej kësaj qendre, dyshja duket se nuk e ka pasur problem. Gjithë kjo për faktin se Burgu i Smrekonicës nuk ka elemente të sigurisë fizike, e as materiale që e pengojnë largimin e personave të dënuar meqenëse është qendër e tipit të hapur.

Për këtë rast, Gashi tregon se tashmë është autorizuar komisioni hetues dhe se kanë filluar procedurat hetimore ndaj stafit korrektues që ishte në detyrë rreth mënyrës së largimit të dy të dënuarve.

“Sjellja ndaj personave të dënuar bazohet në vet disiplinën e tyre dhe përgjegjësinë personale, kurse personeli Korrektues mbikëqyrë lëvizjen dhe punën e personave të dënuar. Menaxhmenti i Q.K. Smrekonicë ka autorizuar komisionin hetues dhe kanë filluar procedurat hetimore ndaj stafit korrektues,  i cili ishte në detyrë, rreth mënyrës së largimit të të dy të dënuarve me datën 01.09.2019”, thuhet në përgjigjet e Gashit drejtuar medias.

Për largimin e tyre nga Smrekonica ka njoftuar edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh.

“Raportohet se nga burgu i Smrekonicës janë arratisur dy meshkuj K-Rom. Lidhur me rastin është informuar prokurori”, thuhej në raport.

Ndryshe, vetëm gjatë këtij viti janë arratisur tre të burgosur, numër ky që për pesë vitet e fundit shkon në rreth 40’të. Në mesin e të arratisurve ka të dënuar edhe për vrasje të rënda, vjedhje e grabitje.

Ndërkohë, 10 të arratisur vazhdojnë të jenë në kërkim nga organet e drejtësisë. Pavarësisht se ka vite që janë arratisur, ata ende ende nuk janë kapur.

(Kosova Sot Online)