Njeriu i Merkelit në Beograd takohet me Vuçiqin, kjo është kërkesa e presidentit serb

  • 02 September 2019 - 16:22
Njeriu i Merkelit në Beograd takohet me Vuçiqin, kjo është kërkesa e presidentit serb

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është takuar me deputetin gjerman Peter Bayer.

Në Beograd është duke qëndruar për një vizitë zyrtare deputeti gjerman i koalicionit CDU-CSU që drejtohet nga kancelarja Angela Merkel, Peter Bayer.

Siç shkruajnë mediet serbe, tema kryesore e këtij takimi ka qenë Kosova, përkatësisht arritja e një kompromisi në mes  të Serbisë e Kosovës.

Vuçiq citohet të ketë thënë se Serbia është plotësisht e angazhuar për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje kompromisi që do të jetë e pranueshme për të dyja palët. 

“Ne presim që një zgjidhje të tillë, nëse arrihet, dhe do të kërkojë mbështetjen e Gjermanisë e të Bashkimit Evropian dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar”, citohet të ketë thënë Vuçiq.

Në anën tjetër, deputeti gjerman, Peter Bayer, ka theksuar se, interesi i Gjermanisë është që Ballkani Perëndimor të jetë i qëndrueshëm dhe ekonomikisht i fortë.

“Nuk ka të ardhme për BE pa integrimin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Bayer.

(Kosova Sot Online)