Zbardhen arsyet: Ja pse dështimi i koalicionit LDK-VV e kthen në lojë PDK-në

  • 02 September 2019 - 18:34
Zbardhen arsyet: Ja pse dështimi i koalicionit LDK-VV e kthen në lojë PDK-në

LDK dhe VV dështuan që të pajtohen për postin e kryeministrit, LDK insistonte për Vjosa Osmanin, kurse Vetëvendosje për Albin Kurtin...

Analisti politik, Faik Krasniqi e konsideron humbje të një shansi të madh për ndryshime pozitive në qeverisjen e vendit dhe ç’kapjen e shtetit, dështimin e marrëveshjes për koalicion parazgjedhor mes LDK-së dhe VV-së.

Ai thotë se nëse do të kishim një koalicion parazgjedhor LVV-LDK, edhe pa dyshimin më të vogël do të kishim një fitues absolut me 65-70 deputetë në Kuvend, por meqë nuk u arrit ky koalicion, do të kemi një garë shumë interesante mes LVV, LDK dhe PDK nga e cila është vështirë të parashikohet me saktësi fituesi i këtyre zgjedhjeve.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi për një nuancë Vetëvendosjen e sheh si fituese të këtyre zgjedhjeve, por thotë se edhe në VV- ka figura të pa pranueshme që nuk e kanë vendin aty, por ndikimi i tyre është i kufizuar nga kontrolli që ushtron lideri i partisë.

“Brenda saj ka individ që s'do të duhej të ishin pjesë e saj, por mund të pastrohet. Ka një lider karizmatik si Albin Kurti, i cili jep shpresë tek njerëzit që mundë ta bej ndryshimin e madh në Kosovë. Në këto zgjedhje qytetarët do të jenë më të matur me votën e tyre, nga frika e koalicioneve që ata nuk i duan. Asnjë votues i përhershëm i LDK-së nuk e do prapë një koalicion me PDK-në. Kurse votuesit e heshtur të saj kanë humbur besimin dhe kanë frikë që vota e tyre do të shkoj dëm, sepse garda e vjetër e LDK-së prapë do të bëhen bashkë me PDK pas zgjedhjeve, dhe votën e tyre e orientojnë tek partia që nuk ka qenë kurrë në pushtet”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”. 

Sido qoftë, i mësuar nga përvoja kriminale e abuzimit të votës në zgjedhjet e kaluara, Krasniqi nuk e përjashton rrezikun e vjedhjes dhe blerjes industriale të votave në PDK për ta ruajtur përsëri pushtetin dhe kapjen e shtetit.

“Edhe pse vëmendja e medieve është e përqendruar tek LVV dhe LDK si fituese të këtyre zgjedhjeve, unë si lojtar të fortë e shoh edhe PDK-në, edhe pse është parti skajshmërisht e kriminalizuar. Pse e shoh si lojtar të fortë? PDK-ja ka shumë para, dhe pa dyshim që i hedh në fushatë, pa llogaritur këtu me dhjetëra biznese që e financojnë gjatë fushatave. Për këto 12 vite sa janë në pushtet, ata janë kujdesur që të punësojnë sa më shumë njerëz, dhe thuajse pjesa më e madhe e të punësuarve vijnë nga kjo parti. Kjo përkthehet në votë”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Në këtë rrafsh ai e sheh edhe aferën me veteranët.

“Edhe numri shumë i madh i veteranëve nënkupton vota të konsiderueshme për partitë si PDK, AAK dhe Nisma. Jo rastësisht nuk ka ndodhur stërfryrja e numrit të veteranëve të UCK-së. Mirëpo me 6 tetor qytetarët kanë rastin te votojnë për fatin e tyre. Për ndryshim të madh, apo për vuajtje dhe stagnim”, tha analisti Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)