“Mesazhi i fuqishëm për Kosovën”, ja kush duhet të fitojë në zgjedhjet e 6 tetorit

  • 03 September 2019 - 07:28
“Mesazhi i fuqishëm për Kosovën”, ja kush  duhet të fitojë në zgjedhjet e 6 tetorit

Duke pasur këtë kujdestari ndërkombëtare, kam një pikë shprese që me këto zgjedhje të 6 tetorit do të triumfon ligji, e jo hajnat e mafiozët e deritanishëm...

Analisti i njohur politik, Dardan Grapci e konsideron si shumë të rëndësishëm mesazhin të cilin e përçuan javën e kaluar tek partitë politike kosovare ambasadorët e vendeve të “Quintit,” të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët ishin tepër të qartë në kërkesën për pastërtinë që duhet të kenë listat me kandidat për deputet, por edhe vetë kandidatët për kryeministër.

Image

Grapci thotë se do të dëshironte që kjo të jetë vërejtja e fundit ndaj partive politike, të cilat që në fillim e shkelën ligjin dhe rregullat zgjedhore, pasi sipas tij, liderët e këtyre partive politike garuese në zgjedhje, nga frika e dominimit të rivalëve politikë, ende pa u hyrë në kalendarin zyrtar të fushatës zgjedhore, 25 shtatorin sipas rregullores se KQZ-s, ata e kanë filluar këtë fushatë madje akoma pa u votuar shpërndarja e Kuvendit dhe po vazhdojnë pa ndalshëm.

“Mendoj që ajo deklaratë e përbashkët e vendeve të “Quintit” është një mesazh i fuqishëm që i tërheq vërejtjen politikës kosovare, pozitës dhe opozitës, se ka ardhur momenti i duhur që kandidatët për deputet por edhe ata të cilët janë të përzgjedhur për ta marr postin e Kryeministrit, duhet të jenë të pastër në zemër dhe në mendje, e jo ta vazhdojnë rrugën e njëjtë siç e ka pasur Qeveria Haradinaj. Legjislatura e radhës, e shtata, duhet që vërtetë të punojnë, që ky vend të jetë shembull për rajonin, Ballkanin dhe Evropën”, tha Grapci për “Kosova Sot Online”.

Sipas Grapcit, kjo ndërhyrje me deklaratë të përbashkët të shteteve mike, e bëjnë atë të besojë se këtë herë grupet mafioze të lidhura me politikën nuk do të lejohen të abuzojnë me votën.

“Kam një pikë shprese që me këto zgjedhje të 6 tetorit do të triumfon drejtësia, vota e lirë qytetare dhe jo mafia dhe krimi e korrupsioni. Duke pasur këtë kujdestari ndërkombëtare, kam një pikë shprese që me këto zgjedhje të 6 tetorit do të triumfon ligji, e jo hajnat e mafiozët e deritanishëm”, tha Grapci për “Kosova Sot Online”.

Grapci shprehet se reagimi i ndërkombëtarëve vetëm pak ditë para zgjedhjeve është i mirëseardhur dhe jep një pikë shprese për qytetarët.

“Sepse po të mos kishin qenë herë pas here reagimet e ngjashme kundër grupeve mafioze të lidhura me politikën, që tani do të kishim fillimin e një fluksi të madh të eksodit jashtë vendit, për shkak se askush nuk po dëshiron të jeton në një vend të pa shpresë të okupuar nga politika e lidhur me mafien, krimin e korrupsionin”, përfundoi Grapci për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)