Detajet e plota nga krimi në Memaliaj, si e vrau djali me sëpatë babanë

  • 03 September 2019 - 13:12
Detajet e plota nga krimi në Memaliaj, si e vrau djali me sëpatë babanë

35-vjeçari Arjan Shahaj me të atin ishin duke prerë dushk për bagëtitë, kur mes tyre ka nisur një debat. Dyshohet se i ati i kërkonte vazhdimisht llogari për një vajzë. I biri e qëlloi në kokë, e la të vdekur në vend

Një 35-vjeçar u bë autor i një krimi të rëndë në familje mëngjesin e sotëm, ku qëlloi për vdekje me sëpatë në kokë, babanë e tij 77-vjeçar.

Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00 në fshatin Shalës të Memaliajt. Policia ka dhënë detaje në lidhje me këtë ngjarje. Arjan Shahaj ishte me të atin jashtë shtëpisë duke prerë dushk për bagëtitë, kur mes tyre ka nisur një debat, që paraprakisht dyshohet të ketë të bëjë me faktin që 77-vjeçari Iljaz Shahaj i kërkonte llogari të birit për shkak se ky i fundit kishte një lidhje me një vajzë. Pas debatit autori Arjan Shahaj ka rrëmbyer sëpatën dhe ka qëlluar në kokë babanë e tij duke e lënë të vdekur në vend.

Menjëherë pas ngjarjes autori i krimit është larguar dhe në ndjekje të tij janë vënë efektivët e policisë së Gjirokastrës. Tre orë pas krimit të kryer, 35-vjeçari është arrestuar në aksin Levan-Tepelenë ku kishte hipur në një furgon për t’u larguar në drejtim të Tiranës. Autori ka kërkuar të pijë ujë kur edhe është bërë i mundur identifikimi i tij, ndërsa ka bërë rezistencë ndaj efektivëve, por është neutralizuar nga forcat e policisë dhe më tej është sjellë në ambientet e paraburgimit të Gjirokastrës. 

E kaluara e autorit

Autori, 35-vjeçari Arjan Shahaj ka qenë i dënuar me 12 vjet burg për tentativë vrasjeje të bashkëfshatarit të vet. Kjo ngjarje ka ndodhur në vitin 1998. I riu ka bërë disa vite burg (jo 12 vjet sa ishte dënuar) pasi nuk pati pasoja për palën tjetër. Ai ka dalë nga burgu mbi 10 vjet më parë. Sakaq, konflikti i djeshëm mes djalit dhe babait, ka ardhur pas një sherri të momentit. Ai është larguar nga vendi i krimit dhe policia e arrestoi tri orë pas ngjarjes, teksa tentonte të hipte në një furgon

Policia e Memaliaj në një informacion paraprak shkroi se në fshatin Shalës, Bashkia Memaliaj, shtetasi A.Sh. 35 vjeç (me probleme të shëndetit mendor) ka goditur me mjete të forta babain e tij, shtetasin I. Sh., 77 vjeç, duke i shkaktuar vdekjen. Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër ka ngritur disa grupe kontrolli dhe po behet krehja e zonës për gjetjen dhe kapjen e autorit. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Hetimet për ngjarjen në fjalë janë duke u zhvilluar me intensitet të lartë. Në ditët në vijim do të ketë edhe një pasqyrë më të plotë për këtë ngjarje të rëndë.

(Kosova Sot Online)