Thyhet rekordi 16-vjeçar i vetëvrasjeve në Britani të Madhe

  • 03 September 2019 - 15:35
Thyhet rekordi 16-vjeçar i vetëvrasjeve në Britani të Madhe

Numri i vetëvrasjeve në Britani të madhe ka shkuar në shkallën më të lartë në 16 vjetët e fundit, ndonëse në pesë vjetët e kaluar ishte shënuar një rënie.

Sipas të dhënave të Zyrës për Statistika Kombëtare, vitin e kaluar në Britani të Madhe kanë kryer vetëvrasje 6507 persona. Kjo shifër është 12 për qind më e madhe se numri i vetëvrasjeve në vitin paraprak dhe më e larta që nga viti 2002.

Numri më i madh i vetëvrasjeve është bërë nga djemtë dhe burrat. Shkalla e vetëvrasjeve nga gjinia mashkullore është rritur nga 15.5 vdekje në 100 mijë njerëz në 17.2 vdekje në 100 mijë njerëz.

Rritje kanë shënuar edhe vetëvrasjet e vajzave nën moshën 25 vjeçare, duke shënuar numër rekord për këtë grupmoshë.

Sidoqoftë, tri të katërtat e vetëvrasjeve në vitin 2018 në Britani të Madhe janë bërë nga burrat, ndërsa pjesa tjetër nga gratë. Më saktësisht, vitin e kaluar janë regjistruar 4903 vetëvrasje nga gjinia mashkullore dhe 1604 nga gjinia femërore.

Ekspertët shëndetësorë thonë se këto shifra janë shumë shqetësuese dhe kanë bërë thirrje që kjo çështje të trajtohet si problem serioz i shëndetit publik, shkruan “Independent”.

(Kosova Sot Online)