Malet në kufi me Shqipërinë në flakë qe një javë, pritet ndërhyrja e ushtrisë

  • 03 September 2019 - 16:51
Malet në kufi me Shqipërinë në flakë qe një javë, pritet ndërhyrja e ushtrisë

As pas një jave, zjarrfikësit nuk ia kanë dalë që t’i shuajnë zjarret që kanë përfshirë Bjeshkët e Rekës së Keqe, që gjenden në afërsi të kufirit Kosovë-Shqipëri. Zjarrfikësit në këtë komunë deklarojnë se krahasuar me ditët e kaluara, gjendja është përmirësuar. Por, thonë se Ponoshefci dhe Qafa e Morinës vazhdojnë të jenë në flakë. Për gjendjen e krijuar atje, dje ka reaguar edhe kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj.

Ka shtatë ditë që malet në kufirin Kosovë-Shqipëri janë në flakë. Por, pavarësisht përpjekjeve, zjarrfikësit nuk po arrijnë që t’i shuajnë.

Terreni i papërshtatshëm dhe era e fortë po i pengon ata që t’i afrohen vatrës së zjarrit.

Komandanti i Zjarrfikësve të Gjakovës, Xhavit Gashi i ka thënë se krahasuar me ditët e kaluara, gjendja po shkon duke u përmirësuar.

Deklaron se gjendja nuk është e mire në Ponoshefc dhe në pikën kufitare në Qafë të Morinës, derisa thotë se fshatrat e tjera i kanë nën kontroll.

“Përmasat janë shumë më të vogla. Nën kontroll e kemi fshatin Qerret , fshati Babaj i Bogës në Bjeshkët e Qerretit, Shishmanin e kemi në kontroll, Popocin e kemi nën kontroll. Ndërkohë, në fshatin Pononshec dhe në pikën kufitare në Qafë të Morinës nuk e kemi situatën edhe aq mirë. Por, në përgjithësi krahasuar me ditët e tjera, situata është shumë më e mirë”, tregon Gashi.

Image

E pavarësisht se zjarret ende nuk janë shuar dhe se në dy fshatra gjendja nuk është e mirë, komandanti i zjarrfikësve thotë se banorët dhe shtëpitë nuk janë të rrezikuar.

Deklaron se nëse përkeqësohet gjendja, do të ndërhyjë edhe ushtria.   

“Banorët të mos e ndjejnë vetën të rrezikuar në asnjë mënyrë. Asnjë shtëpi e as një qytetar nuk do të lejojmë që të iu vie rreziku për jetë. Unë i kuptoj shqetësimet e tyre, por nuk ka rrezik për pasurinë e tyre e as jetën e tyre. Ushtria është e mobilizuar. Po pret në kazerma. Në çdo moment që ne me zyrtarët e AME’së e vleresojmë se po keqësohet gjendja, ushtrinë e kemi në gjendje  gatishmërie dhe ndërhyjnë”, ka thënë Gashi.

Image

Ai ka falënderuar edhe zjarrfikësit e komunave të tjera, pylltarët dhe banorët që iu kanë dal në ndihmë për shuarjen e këtyre zjarreve.

“Zjarrëfikësat e Gjakovës po punojnë ditë e natë që me i shu këto zjarre. Poashtu na kanë ardh në ndihmë edhe zjarrfikësat e nëntë komunave. Kemi zjarrfikësa nga Ferizaji, Suhareka, Malisheva, Rahoveci, Prizreni, Peja, Deçani dhe Juniku. Përveç zjarrfikësave, apelit tonë iu janë përgjigje edhe pylltarë të Agjencionit të Pyjeve dhe fshatarët.  Janë 55 zjarrfikësa që po marrin pjesë në aksion”, ka thënë Gashi.

Ndërkohë, rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale e Gjakovës.

Zëdhënësja e Policisë së Rajonit të Gjakovës, Lirie Podrimaj i ka thënë lidhur me këtë rast janë njoftuar të gjitha njësitë relevante të cilatpo vazhdojnë të  punojnë në terren dhe se kanë arritur të shuajnë një pjesë të madhe të zjarrit.

Podrimaj ka thënë se një pjesë e zjarrit nuk ka arritur që të shuhet shkaku i terrenit të papërshtatshëm, por se bazuar në informatat nga terreni, banorët nuk janë të rrezikuar.

“Një pjesë e madhe e zonës malore që është në zonën e përgjegjësisë së DRP – Gjakovë është përfshirë nga zjarri që nga data 27.08.2019. Lidhur me këtë rast janë njoftuar të gjitha njësitë relevante të cilat vazhdojnë të  punojnë në terren dhe kanë arritur të shuajnë një pjesë të madhe të zjarrit vetëm sot i kemi 9 njësi të zjarrëfikësve nga qytete të ndryshme që po asistojnë . Për shkak të terrenit të pa përshtatshëm dhe pa mundësisë së zjarrfikësve për të arritur në afërsi të lokacionit një pjesë e zjarrit nuk është arritur të shuhet. Bazuar në informatat nga terreni nuk ka rrezik për banorët”, ka thënë Podrimaj.

Për gjendjen e krijuar në këto male, dje gjatë ditës ka reaguar edhe kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se shpërthimi i këtyre zjarreve është shqetësues për shkak të shtrirjes në hapësirë shumë të madhe.

Haradinaj ka thënë se është në kontakt edhe me kryetarin e Komunës së Gjakovës dhe se po e përcjellin gjendjen nga afër. Përveç zjarrfikësve, Haradinaj ka thënë se është mobilizuar me urgjencë edhe një repart i ushtrisë në zonën e rrezikuar.

“Shpërthimi i zjarreve në komunën e Gjakovës është shqetësues për shkak të shtrirjes në hapësirë shumë të madhe. Jam në kontakt me Kryetarin e Gjakovës dhe nga afër po e përcjellim gjendjen e krijuar. Janë mobilizuar zjarrfikësit e pesë komunave në rajon, si dhe Policia e Kosovës. Poashtu, është mobilizuar me urgjencë një repart i ushtrisë në zonën e rrezikuar”, ka shkruar Haradinaj

(Kosova Sot Online)