Vjen paralajmërimi nga eksperti: Ja abuzimi i madh që mund të ndodhë në zgjedhje

  • 03 September 2019 - 18:54
Vjen paralajmërimi nga eksperti: Ja abuzimi i madh që mund të ndodhë në zgjedhje

Kosova ka një popullsi prej 1 milionë e 795 mijë banor, dhe nëse merret parasysh kontingjenti i votuesve potencial që janë diku përafërsisht prej 1 milionë e 800 mijë votues.

Profesori i njohur i së drejtës, Blerim Burjani, ish anëtar i KQZ-së dhe ekspert i fushës elektorale, duke përcjellë raportimet e fundit për skandalin me listat e votuesve që po përsëritet edhe në pritje të zgjedhjeve të 6 tetorit, ku kemi më shumë votues të regjistruar se sa banor rezident të Kosovës, thotë se mos pastrimi i listës së votuesve është dështimi i qëllimshëm i mirë menduar dhe planifikuar nga vetë politika për abuzimin e votës.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, kjo po bëhet për mbulimin e masës së qytetarëve në rritje që po abstenojnë vazhdimisht nga zgjedhje për shkak të mungesës së alternativës serioze politike dhe mashtrimit të pa ndalshëm nga pushtetarët e lidhur me krimin.

Sipas ASK-së, në bazë të vlerësimit të numrit të popullsisë të vitit 2018, Kosova ka një popullsi prej 1 milionë e 795 mijë banorë dhe nëse merret parasysh kontingjenti i votuesve potencial që janë diku përafërsisht prej 1 milionë e 800 mijë votues.

E sipas Blerim Burjanit, pastrimi i listës është përgjegjësi e vazhdueshme institucionale, një nga standardet bazë demokratike dhe të respektimit të votës së lirë, është listë që duhet të jetë e menaxhuar në mënyrë permanente, por që te ne nuk po funksionon fare. 

“Për këtë pasojë dhe për mungesë të reformës zgjedhore kemi humbje të besimit në zgjedhje. Vetëm kujdesi permanent rritë shkallën e besueshmërisë së zgjedhjeve, pra një standard unik dhe kriter ndërkombëtar. Menaxhimi i listës votuese është problem kyç dhe kërkesë bashkë me një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore në Kosovë, mirëpo dihet fare mirë që pastrimi i listës votuese asnjëherë nuk ka ndodhë, sikur që nuk ka ndodhur edhe kujdesi permanent për mirëmbajtën e kësaj liste, sepse partitë politike nuk kanë qenë të interesuar asnjëherë që të ndodhë ky proces”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, vetëm abuzimi me listën e votuesve mundë ta mbulojë deri diku edhe abstenimin e qytetarëve të zhgënjyer nga dalja në zgjedhje, sepse ndryshe realiteti dhe disponimi po tregon që dalja edhe këtë herë mundë të jetë shumë e ulët.

“Elektorati pritet të shënon rënie drastike të daljes në zgjedhje në Kosovë edhe këtë herë, një gjë që edhe mundë të sjell në pikëpyetje këto zgjedhje, me vetëm 400 mijë votues që mundë të dalin në zgjedhje”, tha Blerim Burjani për “Kosova Sot Online”.

Burjani ka rikujtuar shënimet statistikore në zgjedhjet për kryetar të komunës së Ferizajt në vitin 2012, kur kanë dalë në zgjedhje vetëm 27 % të votuesve të regjistruar.

Daljen e vogël në zgjedhje dhe rrezikun e legjitimitetit të procesit, Burjani e sheh edhe nga zbrazja e heshtur e Kosovës që ka ndodhur në vitet e fundit përmes migrimit ilegal. 

“Dihet që numri i votuesve të vij duke rënë edhe për shkak të ikjes së qytetarëve jashtë shtetit, por pa harruar mos interesimin për të votuar të një mase të madhe të votuesve rezident e të zhgënjyer, sepse nuk janë të interesuar për të votuar njerëz të ricikluar, keqpërdorues të parasë publike, dhe kur merren parasysh të gjitha këto dalja në zgjedhje e qytetarëve të reduktohet kurse me listën e votuesve që ka më shumë votues të regjistruar se sa banor real do të abuzohet, sepse edhe mbrojta e votës së lirë të qytetarit është problemi i madh kur dihet se do të jenë rreth 25 .000 komisionar partiak në mëshirën e të cilëve mbetet numërimi dhe evidentimi i votave”, përfundoi Blerim Burjani për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)