Analiza e fortë: Ja skema e re e koalicionit pas zgjedhor, vjen paralajmërimi i tmerrshëm...

  • 04 September 2019 - 07:38
Analiza e fortë: Ja skema e re e koalicionit pas zgjedhor, vjen paralajmërimi i tmerrshëm...
Ramiz Bojaj /

Nëntoka kriminale po përgatitet për formimin e koalicionit pas zgjedhor që pritet ta votojë marrëveshjen finale me Serbinë, sipas skenarit Thaçi- Vuçiq- Putin...

Analisti politik, Ramiz Bojaj, që jeton dhe vepron në SHBA, duke pritur zgjedhjet e 6 tetorit dhe krijimin e koalicionit të ri pas zgjedhor, mendon se klanet e vjetra politike të cilat kanë bashkë qeverisur me Kosovën për 20 vjet më radhë, po bëjnë të gjitha përpjekjet e fundit të tyre për të mbijetuar e për të ruajtur privilegjet e tyre.

Image
Ramiz Bojaj

“Në këtë kontekst duan të ruajnë ndikimin e tyre edhe pas kësaj faze zgjedhore, me pretekst të ikjes së përgjegjësisë për keq qeverisje, zhvatje, vjedhje, mashtrim, dëbim të popullsisë e krejt në fund edhe kurorëzimin e pazareve të tyre me shtetin e sovranitetin. Mbetet tejet rrezik, ku partitë e ish koalicioneve, edhe pse në dukje të parë, të ndarë e të përçarë me akuza e propagandë, duke u sharë e duke u fyer mes vete në këtë fushatë zgjedhore, qëllimi i tyre është mashtrimi populist i votuesve, për tu bashkuar sërish në një bashkëqeverisje për të quar përpara pazaret e tyre, gjithnjë duke ruajtur edhe tregun e nëntokës kriminale”, u shpreh Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Sipas Bojajt, këtu shtohet rreziku i ri dizajnimit të koalicioneve të reja me klane të vjetra e të ricikluara, pas procesit zgjedhor të kësaj vjeshte.

“Skema e re politike, lehtë mund të riformatizohet nga interesa klienteliste, nepotiste, por edhe nga nëntoka kriminale e para politike, pjesë e së cilës janë edhe figura të larta politike. Nga ndikimet e këtyre klientelave ka ndodhur edhe largimi i koalicionit parazgjedhor mes LDK-së e VV-së, ngase në Lidhjen Demokratike janë disa figura me ndikim, të cilët synojnë mbajtjen e lidhjeve me SHIK-un. Ish ministra e zyrtarë të LDK-së, të familjarizuar me udhëheqës të lartë të PDK-së, ishin penguesit më të fuqishëm të koalicionit LDK-VV, përderisa refuzimi i letrës së Kurtit ishte vetëm pretekst”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Prandaj sipas Bojajt, qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm gjatë këtyre zgjedhjeve qe mos t'i votojnë të korruptuarit e kriminelët, të cilët pasi shkatërruan gjithçka, tashmë e kanë vë në pazar edhe shtetësinë e Kosovës.

“Ata që na sollën mjerimin, varfërinë, skamjen, izolimin, ikjet masive të qytetarëve, pastaj pasigurinë etj, nuk mund ta bëjnë ndryshimin e nevojshëm e të domosdoshëm, sepse është e pamundur ta luftojnë vetveten”, theksoi Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Gjithashtu, sipas Bojajt është tejet shqetësues fakti se në listat e reja të partive politike janë evidencuar edhe kandidatë për deputetë, me emra të akuzuar për krim e korrupsion dhe kjo gjë është e pa pranueshme dhe kërcënon seriozisht të ardhmen e shtetit.

“Kjo tregon se partitë e vjetra nuk heqin dorë lehtë nga 'trofetë' e tyre, privilegjet, pushteti e pasuria e vjedhur. Rrezik tjetër thotë se është rreziku që të përsëritet historia e Çakorrit edhe për marrëveshjen e dhimbshme me Serbinë. Kjo nga fakti se zgjedhjet e parakohshme të vitit 2017 ishin organizuar vetëm për ta nxjerrë një qeveri me përbërje të shumicës parlamentare për të kaluar marrëveshjen për demarkacionin me Malit të Zi, ku Kosova humbi mbi 8 200 ha tokë. Mbetet rrezik tejet evident qe edhe këto zgjedhjet e sivjetme të jenë të dizajnuara vetëm për të krijuar një qeveri me një përbërje të shumicës së sigurt parlamentare që do të jetë e gatshme ta votojë edhe marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi , duke përfshirë edhe pazaret e territoreve. Ata që mashtrojnë njëherë, mashtrojnë e tradhtojnë edhe njëqind herë”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Se marrëveshja me Serbinë do të jetë patate që i djeg dorën edhe qeverisë së re pas 6 tetorit, Bojaj thotë se tregon fakti i angazhimit të diplomacisë ndërkombëtare në këtë fokus të këtyre, takimi i të deleguarit të Angela Merkel në Beograd, deputetit gjerman Peter Bajer, ku u bisedua për raportet Kosovë-Serbi, si dhe emërimi i diplomatit amerikan Matthev Palmer, si përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor.

“Kjo tregon se shteti ynë do të futet edhe në një proces të rëndë rreth një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi. Pra, jemi para një përgjegjësie të madhe historike. Këtë proces e kanë deformuar dhe e kanë dëmtuar rëndë Edi Rama e Hashim Thaçi të cilët duke pranuar projektin serb për ndarjen e Kosovës, po mundohen qe marrëveshjen serbe të tyre ta paraqesin si akt të kryer, me çka Republika jonë po humbë tepër shumë territor por edhe nga sovraniteti i vet dhe pasuritë nëntokësore”, theksoi analisti Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Për ta realizuar këtë projekt, sipas tij mundë të dizajnohet edhe koalicioni qeverisës pas zgjedhor.

“Ata që votuan Çakorrin, ata që e vodhën e shkatërruan këtë shtet, do të përpiqen që të bashkuar në koalicione pas zgjedhore të finalizojnë pazarin famëkeq Thaçi-Vuqiq-Rama, e të na paraqesin këtë si marrëveshje përfundimtare. Ata që e duan Republikën e Kosovës, nuk i votojnë e nuk i legjitimojnë shkatërruesit e shtetit tonë, hajnat e kriminelët të cilët nën petkun e patriotizmit nuk lanë gjë të keqe pa i bërë këtij vendi”, përfundoi analisti nga Amerika, Ramiz Bojaj për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)