Kërkohet ndryshimi i madh në Kosovë, vetëm kështu pastrohet drejtësia

  • 04 September 2019 - 07:51
Kërkohet ndryshimi i madh në Kosovë, vetëm kështu pastrohet drejtësia
Hasan Preteni /

Njerëzit e njëjtë që kanë dështuar që 20 vite nuk mund të sjellin ndryshime, prandaj atyre nuk mund të ju besohet...

Njohësi i fushës së të drejtës, ish kreu i AKK-së për dy mandate të plota, Hasan Preteni duke parë ashpërsinë e luftës për pushtet që po bëhet tani nga të gjitha partitë politike, nga të gjithë ata që janë përgjegjës për dështimin e shtetit të së drejtës dhe dështimin e zhvillimit për dy dekada, thotë se kjo gjendje flet më së miri për mungesën e moralit politik dhe të llogaridhënies para qytetarit për abuzimin dy dekada me pozitën në pushtet.

Image

“Kësaj situate tani mundë t’i thuhet për secilin: mos e vet se të tregon vetë. Pra Mos i shiko të metat por shikoi me çka mburren. Me të vërtetë ato i kanë të meta dhe tani shtrohet pyetja se si kanë moral këta zyrtar që nuk kanë asgjë të mirë në këtë vend duke vjedhur e nëpërkëmbur, e tani krekosen se si janë po këta që do ta luftojnë korrupsionin”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Ai tani e shtron pyetjen në të cilën do të dëshironte të ketë edhe përgjigje se çka do të bëjë politika në luftimin e korrupsionit, cilat veprime do t’i ndërmarrin, pasi që sipas tij deri më tani drejtësisë nuk i ka munguar asgjë për të kryer këto obligime ligjore e kushtetuese.

“Qeveria duhet të siguron buxhet të mjaftueshëm, Kuvendi duhet të nxjerr ligje të nevojshme dhe të siguroj funksionimin e mekanizmave të pavarur. Buxhet të mjaftueshëm dhe kushte për punë. Mekanizmat e pavarur duhet të punojnë dhe të raportojnë në Kuvend. Politika gjithashtu nuk duhet të përzihet në punën e gjyqësorit”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”, duke bërë të dituar se kjo është rruga e vetme dhe e drejtë që duhet bërë këta të politikës, e nuk e kanë bërë deri më tash si duhet.

“Nuk ka nevojë për qasje tjetër ose për angazhim tjetër. Vetëm mos të ndërhyhet në sistemin e drejtësisë, mos të përzihen në seleksionimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Ai po ashtu thotë se duhet kërkuar nga kryeprokurori të shkojë në Kuvend dhe të raportojë për punën e vet, dhe jo të ndikohet nga politika në detyrat e tij ligjore e kushtetuese.

“Mjafton vetëm kaq. Sjellja e tyre deri tani ka qenë negative dhe nëse mbesin të njëjtit do të përsëritet edhe sjellja e njëjtë. Njerëzit e njëjtë që kanë dështuar qe 20 vite nuk mundë të sjellin ndryshime prandaj atyre nuk mundë të ju besohet. Një person i cili gënjen një herë edhe populli ja fal, por ai prapë do të gënjej, prandaj nuk duhet të ju falet më tutje sepse tradhtia dhe hajnia janë gjenetike,ose je hajn dhe tradhtar ose nuk je”, shtoi Preteni për “Kosova Sot Online”.

Sipas Pretenit, kjo është arsyeja pse në politikën kosovare është koha të ndodhin ndryshime e pastrime rrënjësor, sepse nuk mundet njëherë dikush të jetë tradhtar dhe hajn, dhe herën tjetër patriot dhe i pa korruptuar.

“Përkundrazi ata që kanë vjedhur nuk guxojnë të ndalen se vepruar jo ligjërisht sepse kanë hy në borxhe dhe në raporte jo ligjore me shumë të tjerë. Ne vepra korruptive përfshihen zakonisht shumë persona dhe krijohen shumë raporte të ndërsjella. Duhet të krijohet një sistem i tillë i cili i pamundëson veprimet joligjore. Krijimi i sistemit është domosdoshmëri, nuk mjafton me ndryshimin e disa njerëzve por me angazhimin serioz deri te krijimi i një sistemi të mirëfilltë. Zotimet dhe fjalët boshe janë për konsum politike dhe fushatë zgjedhore”, përfundoi Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)