Dy senatorë amerikanë sot vizitojnë Kosovën

  • 04 September 2019 - 08:10
Dy senatorë amerikanë sot vizitojnë Kosovën

Senatorët nga SHBA, Ron Johnson (republikan nga Wisconsin) dhe Chris Murphy (demokrat nga Connecticut) sot do të vizitojnë Kosovën.

Në Prishtinë ata do të takohen bashkarisht me të gjithë udhëheqësit politikë, presidentin Thaçi, dhe pjesëtarët e shoqërisë civile.

Murphy, senator demokrat, dhe Johnson, republikan, do të udhëtojnë bashkë me një delegacion të Kongresit që do të vizitojë Rusinë, porse atyre dy Moska ua ka ndaluar hyrjen.

“Rusia nuk na lejon brenda, por Ron Johnson dhe unë do të vizitojmë Ukrainën, Serbinë dhe Kosovën këtë javë, për të dëshmuar mbështetjen dypartiake për Qeverinë e re të Ukrainës dhe për dialogun e vazhdueshëm midis Beogradit dhe Prishtinës”, tha në një postim në Twitter senatori Chris Murphy.

Murphy dhe Johnson janë kritikë të zëshëm të Kremlinit.

Vizita e tyre në Ballkan vjen në kohën kur flitet për përfshirje më të madhe të SHBA-së në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

(Kosova Sot Online)