Arrestohet hajduti i “tmerrshëm”

  • 04 September 2019 - 10:39
Arrestohet hajduti i “tmerrshëm”

Policia e Shkodrës vuri në pranga një person të kërkuar për disa vjedhje.

42-vjeçar, i dënuar dy herë më parë, ndërsa zbardhen disa vjedhje automjetesh, biçikletash e banesash.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale disa biçikleta e sende të tjera, të vjedhura nga ky shtetas në automjete dhe banesa.

Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjes së pronës, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve, Policia e Shkodrës, bazuar mbi informacione të marra në rrugë operative dhe falë veprimeve profesionale ka organizuar dhe zhvilluar operacionin policor “The third time”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit: A.RR., 42 vjeç, banues në Shkodër, i dënuar dy herë më parë për vjedhje të pronës.

Ky shtetas ushtronte veprimtarinë kriminale në mënyrë të përsëritur në fushën e vjedhjes së pronës, kryesisht të automjeteve duke thyer xhamin e pasëm trekëndësh të mjetit, vidhte biçikleta, banesa dhe zyra të firmave të ndryshme, duke marrë sende me vlerë dhe pajisje kompjuterike.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e këtij shtetasi, policia gjeti dhe sekuestroi disa biçikleta, sende të tjera që dyshohet se ky shtetas i ka vjedhur në automjete, banesa apo zyra firmash private, si dhe mjetet që përdorte për të kryer vjedhjet.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër vijon puna për dokumentimin me prova ligjore të vjedhjeve, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja”.

(Kosova Sot Online)