Masakroi të atin me sëpatë, shqiptari 35-vjeçar tregon sherrin: Nuk duroja dot më, ja pse e vrava...

  • 04 September 2019 - 13:17
Masakroi të atin me sëpatë, shqiptari 35-vjeçar tregon sherrin: Nuk duroja dot më, ja pse e vrava...

Masakroi të atin me sëpatë, 35-vjeçari pranon krimin para hetuesve. 

Arjan Shahaj, një ditë pasi vrau me mjetin prerës babanë e tij 77-vjeçar, ka rrëfyer motivin që e çoi drejt krimit makabër. I riu nga Memaliaj është shfaqur i qetë dhe gjakftohtë gjatë marrjes në pyetje. Gjithashtu, 35-vjeçari nuk ka shfaqur asnjë pendesë për vrasjen e babait në pyllin e fshatit Shalës.

Para uniformave blu në Komisariatin e Gjirokastrës, ai ka pohuar se e goditi qëllimisht me sëpatë të atin, për ta lënë të vdekur, duke rrëzuar çdo alibi se vrasja nuk ka qenë e qëllimshme. Duke rrëfyer ngjarjen me detaje, Arjan Shahaj pranoi autorësinë e krimit të rëndë dhe shpjegoi se e vrau të atin pasi ai e keqtrajtonte.

“Panorama” mëson se dosja është deleguar te Prokuroria për Krime të Rënda dhe gjatë ditës së nesërme pritet të jepet masa e sigurisë.

Burime pranë Krimeve te Rënda zbardhin dëshminë e 35-vjecarit, Arjan Shahaj në Prokurori. “Babai më ka keqtrajtuar që i vogël. Ditën e ngjarjes më thoshte hip në një pemë dushku të  lartë dhe pri degët. Unë e kundershtova dhe ai me qëlloi me pëllëmbë. Nuk durova dot dhe e qëllova me sëpatë”, mësohet të ketë thënë i riu nga Memaliaj.

Gjithçka ka ndodhur pas një debati të momentit babë e bir, kur 35-vjeçari, sipas pretendimeve të tij, i lodhur nga mënyra se si trajtohej në familje, ka goditur për vdekje të atin e më pas është larguar në drejtim të Tiranës, duke përshkuar me këmbë shtigjet dytësore mes maleve, në drejtim të rrugës nacionale, ku edhe u ndalua nga postblloku i Policisë.

Në dëshminë e tij, 35-vjeçari tha se e kreu aktin e rëndë me vetëdije të plotë pas dhunës që pretendonte se babai i moshuar ushtronte ndaj tij. Arjan Shahaj dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor që pas përfundimit të shkollës së mesme.

Ai vrau të atin në një pyll të fshatit Shalës në Memaliaj, ku kishin shkuar për të prerë dru. 35-vjeçari ka qenë i dënuar me 12 vjet burg për tentativë vrasjeje të bashkëfshatarit të tij, ngjarje e ndodhur në vitin 1998. Pasi kreu dënimin, ai la qelinë e burgut rreth 15 vite më parë, por edhe pas kësaj, Shahaj ka shfaqur sjelle të dhunshme brenda familjes. Ai madje ka tentuar të vrasë dhe nënën në një rast, ndërsa ka tentuar të vrasë edhe një tjetër të afërm të tij. Pavarësisht shenjave të theksuara të dhunës, Arjan Shahaj jetonte në shtëpi me familjarët e tij duke mos u konsideruar si rrezik për shoqërinë, ndërsa mëngjesin e 2 shtatorit, ai qëlloi për vdekje me sëpatë të atin 77-vjeçar. 

NGJARJA

Vrasja e Iljaz Shahaj nga i biri duket një krim urrejtjeje pasi, i moshuari është goditur tri herë me sëpatë. Në kushtet e inferioritet përballë familjarëve të tjerë, djali i tij ka zbrazur të gjithë inatin mbi babanë. Në këtë akt, rol kyç ka luajtur dhe gjendja e tij mendore, e cila herë-herë shfaqte paqëndrueshmëri. At e bir shkuan si çdo ditë për të bërë dushk për bagëtitë në pyllin e fshatit Shalës ku edhe ndodhi ngjarja.

Pas vrasjes së të atit, 77-vjeçarit Iljaz Shahaj, 35-vjeçari tentoi të arratisej drejt Tiranës, por u arrestua nga Policia. Ai u kap në aksin Levan-Tepelenë në afërsi të fshatit Poçem të Mallakastrës, pranë kthesës së Levanit, teksa udhëtonte drejt kryeqytetit me një furgon të linjës.

Si njohës i mirë i zonës, ai ka shfrytëzuar rrugët e shkurtra mes shtigjeve malore për të dalë në aksin nacional, ku ka hipur në furgonin e linjës GjirokastërTiranë. Gjatë ndalimit të mjetit nga Policia, mësohet se 35-vjeçari i ka bërë rezistencë forcave të Policisë, duke i kundërshtuar me dhunë.

(Kosova Sot Online)