Mijëra fëmijë amerikanë rrezikojnë të përjashtohen nga shkolla, nëse s’vaksinohen

  • 04 September 2019 - 14:28
Mijëra fëmijë amerikanë rrezikojnë të përjashtohen nga shkolla, nëse s’vaksinohen

Jacquelynn Vance-Pauls, avokate nga Nju Jorku, e ka një djalë 14 vjeç me autizëm. Djali i saj është përjashtuar nga një shkollë private për fëmijët me nevoja të veçanta.

Binjakët e saj 9 vjeç dhe vajza në shkollën e mesme janë gjithashtu të rrezikuar nga përjashtimi nga shkollat publike. Ata nuk kanë bërë ndonjë problem dhe nuk janë të sëmurë.

Ky rrezik fëmijëve po ju vjen për shkak se nëna e tyre ka refuzuar ta respektojë një ligj të ri, i cili u miratua pas rritjes së rasteve të fruthit. Sipas këtij ligji, besimi fetar nuk është arsye për të mos i vaksinuar fëmijët në shkolla dhe në qendrat e kujdesit.

Avokatja beson se vaksinat kanë ndikuar në autizmin e djalit të vet, pavarësisht dhjetëra studimeve që e dëshmojnë të kundërtën.

Sipas saj, Bibla ia ndalon asaj si besimtare e krishterë që ta dëmtojë trupin, gjë që, sipas saj, e bëjnë vaksinat.

“Nëse e keni një fëmijë që për pak nuk ka vdekur kur i keni dhënë gjalpë kikiriku, pse do ta ushqenit fëmijën tjetër me të njëjtën gjë”, tha ajo në një intervistë, duke u përpjekur ta shpjegojë frikën e saj nga ndikimi i vaksinave.

Me fillimin e vitit të ri shkollor, zonja Vance-Pauls, bashkë me prindërit e rreth 26 mijë fëmijëve të tjerë në Nju Jork, të cilët më parë kishin leje për të mos u vaksinuar për arsye fetare, tash përballen me një vendim të vështirë: T’i vaksinojnë fëmijët apo të përjashtohen nga shkolla, shkruan “Independent”.

(Kosova Sot Online)