‘Shpërthen’ ish agjenti i SHIK-ut, ka një paralajmërim të rëndë për zgjedhjet në Kosovë

  • 04 September 2019 - 15:12
‘Shpërthen’ ish agjenti i SHIK-ut, ka një paralajmërim të rëndë për zgjedhjet në Kosovë

Ambasadat e huaja në Kosovë, i dinë të inkriminuarit kryesor të politikës në Kosovë me emër e mbiemër dhe...

Njohësi i fushës së sigurisë dhe politikës kosovare, ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, edhe pse e ka vlerësuar pozitivisht deklaratën e përbashkët të shteteve të “Quintit", ambasadës së SHBA-së, Francës, Gjermanisë, Britanisë dhe Italisë, që paralajmërojnë politikanët e korruptuar për kujdes me listat e kandidatëve për deputet, që të mos jenë njerëz me presedane penale, ai thotë se po këta ambasadorë është dashur që t’i apostrofojnë të inkriminuarit kryesor të politikës me emër e mbiemër, dhe jo që t’i lënë nën hije sepse të gjitha ambasadat e vendeve mike i kanë listat e të korruptuarve dhe të mafiozëve që veprojnë në politikën kosovare.

Image
Naim Miftari

“Ambasadat ndërkombëtare, nëse në radhët e tyre nuk kanë ngjashëm njerëz të korruptuar të lidhur me politikanët e Kosovës, të implikuar në korrupsion në Kosovë, do të duhej ti ceknin me emër dhe me adresë të gjithë të korruptuarit sepse nuk kam asnjë dyshim në atë se sa kanë informacione këto ambasada, jam i sigurt që të gjitha ambasadat e “Quintit” kanë informacione të sakta dhe e dinë mirë se cilët politikanë e udhëheqës të shtetit tonë janë të korruptuar”, tha Miftari për “Kosova Sot Online”.

Sipas Miftarit, nëse shkohet me këto vërejtje në mënyrë anonime dhe të përgjithësuara, nuk do të ketë fare efekt, por do të na përsëritet praktika e kaluar me njerëz të lidhur me mafien që do t’i kemi nëpër institucione. 

“Nëse të tillët nuk përmenden me emër e mbiemër, thirrjeve të tyre nuk do të jua vë veshin askush por prapë do të kemi shumë deputet e zyrtar shtetëror me akuza penale, duke filluar nga ato për ryshfet, kërcënim e deri te ato për vrasje. Pra mafia politike e Kosovës nuk do të ndryshon fare në mënyrën e sundimit me një pushtet të ri, sepse në fakt do të jetë i njëjti pushtet i vjetër i korruptuar kur vetëm do të ndërrohen disa aktor me vese të njëjta dhe po ashtu të korruptuar”, tha Miftari për “Kosova Sot Online”.

E sipas Miftarit, nëse ambasadat e huaja nuk dalin me listë publike të të korruptuarve dhe të shkelësve të ligjit që nuk duhet të jenë në listat zgjedhore, atëherë e gjitha barra e përgjegjësisë mbetet tek votuesit.

“Në këtë rast zgjidhjen e ka populli i jon nëse do të arrin të kthjellet dhe ti identifikon e të mos i voton fare njerëzit e tillë. Përndryshe nëse të tillët përsëri depërtojnë në politikë dhe në institucione gjërat do të mbesin ashtu siç kanë qenë dhe gjendja vetëm do të vjen duke u përkeqësuar”, theksoi Miftari për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)