Akuza e rëndë: Ja dy politikanët shqiptar që po synojnë realizimin e planit të Millosheviqit

  • 04 September 2019 - 17:50
Akuza e rëndë: Ja dy politikanët shqiptar që po synojnë realizimin e planit të Millosheviqit

Kush janë dy politikanët shqiptar që po përpiqen me çdo formë realizimin e planit famëkeq të diktatorit serb, Sllobodan Millosheviq...

Eksperti amerikan, Edward Joseph, ka shprehur frikën e tij për kthimin në tavolinë të idesë së shkëmbimit të territoreve, ide kjo e kahershme e dy presidentëve, atij të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb, Aleksandër Vuçiq, të cilën duan me çdo kusht ndryshim kufijsh mes dy shteteve.

E lidhur me rikthimin e idesë për korrigjim kufijsh mes dy shteteve, “Kosova Sot Online” ka folur me analistin dhe njohësin e zhvillimeve politike, Ramiz Bojaj.

Bojaj thotë se shkëmbimi i territoreve me Serbinë është i papranueshëm dhe çon në konflikt të ri në Ballkan.

Image
Ramiz Bojaj

"Republika e Kosovës duhet të tregojë vendosmëri të palëkundur, në mënyrë që të bëhet e qartë se shkëmbimi i territoreve me Serbinë është i papranueshëm, i panegocueshëm dhe qon në konflikt të ri, jo vetëm me këtë shtet fqinj, por edhe më gjerë. Me ambicie territoriale e me plane lufte nuk mund të ndërtohet paqja e kërkuar. Edhe eksperti amerikan, Edward Joseph, me plot të drejtë ka shprehur frikën e tij për mundësinë e kthimit në tavolinën e bisedimeve të idesë së shkëmbimit të territoreve. “A është për të shpejtuar përpjekjet për të arritur një zgjidhje të rrezikshme për ndarjen e Kosovës? Nëse po si do të adresohen aspektet negative të kësaj ideje. Si do të tejkalohet kundërshtimi nga disa vende, veçanërisht nga Gjermania?”- vlerëson Jozeph", tha Bojaj për "Kosova Sot Online".

Sipas tij, Kosova nuk mund të tejkalojë vetveten, rajonin dhe kontinentin në të cilin jeton.

“Gjermania, Britania e madhe, por edhe administrata e SHBA-ve, duhet të bazohen në mundësitë reale të një marrëveshje e qëndrueshme paqeje afatgjate në rajon. E kjo paqe mund të garantohet vetëm duke hequr dorë nga hegjemonitë e vjetra serbo-millosheviqiane për grabitje territoresh nga fqinjët. Shtetet e QUINTIT duhet të bëjnë presion më të madh ndaj Serbisë, duke bllokuar çdo rrugë integruese të saj, në mënyrë që ky vend të heqë dorë nga ambiciet territoriale, tipike millosheviqiane, ndaj shtetit të Kosovës, e të njohë realitetin e ri këtu", u shprehë Bojaj për “Kosova Sot Online”. 

Tutje, Bojaj shqetësues është angazhimi i Hashim Thaçi dhe Edi Ramës për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

"Mbetet tejet shqetësues angazhimi i presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, por edhe e kryeministrit të Shqipërisë Edvin Ramës, të cilët më të gjitha forcat e aleancat lindore të tyre, po përpiqen të realizojnë planin serb të Sllobodan Millosheviqit, i quajtur "ujdi" historike me shkëmbime territoriale. Për të neutralizuar këtë plan, duhet të shkarkohet urgjentisht presidenti Thaçi, e bashkë me këtë t'i bëhet me dije Edvin Ramës, se plani rus i socialistëve serbo-shqiptar duhet hedhur në plehra", tha Bojaj për "Kosova Sot Online". 

Për fund, Bojaj deklaroi se kundërshtinë e tij për një ide të tillë të prekjes së kufijve, ditë më parë e ka ngritur edhe deputeti i Parlamentit Evropian, Eduard Kukan, duke theksuar se "ajo mund të destabilizojë fqinjët e Bosnjë e Hercegovinës”.

"Paqja ndërtohet duke mbyllur konfliktet e vjetra e të reja, e jo duke hedhur benzinë në flakën e luftërave. Bota duhet të kuptojë se as Kosova e Serbia nuk përjashtohen nga kjo filozofi", ka përfunduar Bojaj në një prononcim për "Kosova Sot Online”

(Kosova Sot Online)