Tomë Gashi akuzon rëndë Hashim Thaçin, ka një porosi për Kadri Veselin

  • 04 September 2019 - 19:27
Tomë Gashi akuzon rëndë Hashim Thaçin, ka një porosi për Kadri Veselin

Avokati i njohur, Tomë Gashi e ka akuzuar presidentin aktual, Hashim Thaçin se ka tentuar që të bëjë tregti me territorin e Kosovës në të mirën të Serbisë...

Edhe pse fushata zgjedhore ende nuk ka nisur zyrtarisht, partitë politike kanë nisur fushatën e tyre. Edhe në këto zgjedhje, ashtu si në të kaluarën, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dalë në terren me figurat e fuqishme të Partisë Demokratike të Kosovës.

E sipas analistëve politikë, Thaçi edhe njëherë po dëshmon se ai nuk është presidenti i Kosovës, por është në shërbim të ish partisë së tij, PDK-së.

Për përfshirjen e Thaçit në fushatë për ta ndihmuar PDK-në, për “Kosova Sot Online”, ka folur avokati i njohur, Tomë Gashi.

Sipas Gashit, që nga paslufta asnjë nga presidentët e Kosovës nuk kanë qenë krejtësisht të pavarur në ushtrimin e funksioneve të tyre, ngase, siç thotë ai të gjithë kanë qenë të ndikuar nga partitë e tyre nga kanë ardhur para se të jenë president. 

“Kështu ka qenë edhe me presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova , edhe pse karizma e tij ka qenë aq e madhe dhe aq pozitive sa që disa prej presidenteve pas tij nuk kanë mund të arrijnë më shumë se deri tek thembra e presidentit Rugova. Më e pavarura në ushtrimin e funksionit të detyrës së presidentit, ka qenë ish-presidentja, Atifete Jahjaga. Dhe kjo është edhe e kuptueshme nga se ajo është zgjedh presidente e Kosovës nga deputetët e Kosovës, por pa pasur prapa vetes ndonjë parti politike”, tha avokati Gashi për "Kosova Sot Online".

Kurse sa i përket ndikimit në PDK të presidentit aktual, Hashim Thaçi ,Gashi tha se është situatë e njëjtë, pasi ai është emëruar president i dalur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe në marrëveshje politike në mes të PDK-së dhe LDK-së në zgjedhjet e kaluara.

“Dolën dy figura të fuqishme nga ajo marrëveshje, njëri nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), i cili u bë kryeministër, Isa Mustafa dhe njëri postin e kryetarit të shtetit, Hashim Thaçi. Edhe pse inagurimin i tij u bë si në luftë me krijimin e rrethit të çeliktë nga Policia Speciale e Kosovës, rreth shesheve kryesore në Prishtinë”, shtoi Gashi për “Kosova Sot Online”.

Gashi tha se tani, Hashim Thaçi dëshiron ta ndihmojë Partinë Demokratike të Kosovës gjatë kësaj fushate parazgjedhore të pashpallur ende. 

“Mirëpo është çështje paksa filozofike, se a më shumë është duke i ndihmuar apo është duke e dëmtuar presidenti Thaçi PDK-në, pasi që është identifikuar vet si person që në ketë funksion që ka, Thaçi ka tentuar që të bëjë tregti me territorin e Kosovës në të mirën të Serbisë”, tha tutje Gashi.

“Është çështje e votuesve të PDK-së si e konsiderojnë figurën e Hashim Thaçit, tani pas atyre fiskulturave vetëvrasëse për Kosovën që nuk lejuan miqtë tanë që kanë peshë në politikën globale që të ndodhë”, potencoi ai.

Për fund, Gashi deklaroi se NATO nuk e ka bombarduar Serbinë që Kosova prapë të bëhet pjesë e saj, qoftë nëse flasim edhe për 1 cm katror.

“E sa për Kadri Veselin, ai duhet të mendojë kthjellët se a është pozitive apo e kundërta mbështetja e Thaçit për të dhe për Partin Demokratike të Kosovës (PDK)”, ka përfunduar avokati, Tomë Gashi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Onlineë)