Gjykata Speciale dhe vrasjet politike, pjesë e fushatës zgjedhore

  • 05 September 2019 - 07:31
Gjykata Speciale dhe vrasjet politike, pjesë e fushatës zgjedhore

Gjykatën Speciale do ta përdorin PDK, AAK dhe NISMA, kurse LDK vrasjet politike...

Edhe pse Kosova është në fushatë elektorale, në prag të zgjedhjeve të 6 tetorit, ky proces nuk është duke ndikuar fare në punën e filluar të Gjykatës Speciale. e cila tani më ka filluar me intervistimin e personave në cilësinë e të dyshuarit, por edhe të dëshmitarit.

Image
Faik Krasniqi

Mirëpo së fundi ku proces i dërgimit të ftesave për intervistim nga Gjykata Speciale, sipas analistëve politikë, nga partitë politike të krahut të luftës është duke u përdorur edhe për poena elektorale, pasi ato kanë filluar të adresojnë kritika dhe akuza ndaj Gjykatës Speciale, për kinse padrejtësitë që po ju bëhen individëve të ftuar, edhe pse votimi i kësaj Gjykate në Kuvend është kaluar me shumicën e votave të të gjitha partive politike, me përjashtim të Vetëvendosje-s.

Së fundi kemi pasur rastin ë bërjes publike të ftesës së dërguar nga kjo Gjykatë për ish deputeten e AAK-së Time Kadriaj, ftesë e cila ngjalli edhe reagimet dhe kundërshtimet nga anëtarë të këtij subjekti politik.

Analisti politik, Faik Krasniqi thotë se derisa ky institucion i drejtësisë ndërkombëtare, sado i pa drejtë që mundë të jetë, është votuar nga përfaqësues e zgjedhur të këtyre partive politike, është e pafalshme dhe e pandershme, që të njëjtat subjekte politike të paraqiten në cilësinë e viktimës për ftesat që ju dërgohen anëtarëve të tyre.

“Është e turpshme, me përjashtim të Vetëvendosjes, se çfarë bëjnë partitë politike për vota dhe pushtet. Janë në gjendje të bëjnë edhe gjera absurde vetëm të fitojnë një grusht vota. Ata do të hiqen edhe si viktimë duke e përdorur Gjykatën Speciale kurse LDK vrasjet politike, por shumica e popullit as që do të merren me marrëzitë e tyre”, tha Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Krasniqit, Kosova tani ka kaluar plot dy dekada në liri dhe populli e ka mësuar të vërtetën e plotë se kush ishin patriotët e vërtetë, dhe kush ishin ose janë edhe sot manipulatorët për interesa personale, prandaj edhe përdorimi i kësaj Gjykate për vota nuk do ta zgjojë kureshtjen dhe emocionin e qytetarëve.

“Shumica e popullit e kane kuptuar "patriotizmin" e tyre, dhe LDK që vrasjet politike i përdorë vetëm për vota, kurse nuk e ka problem që për hir të interesit partiak dhe personal të bëjnë pastaj koalicion edhe me ata që i akuzojnë për vrasje politike”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Prandaj sipas tij, zhgënjimi qytetar është në masë, kurse votues potencial të këtyre partive politike do të jenë vetëm klientelat e ngushta të interesit.

“Ata që i votojnë këto parti kanë interes nga këto parti, që kur të vijnë në pushtet të kapin ndonjë post, të punësohen diku ose të marrin ndonjë tender. Atyre as që ju plas se çfarë ndodhë me Kosovën. Këta janë fëlliqësirat që e kanë ndihmuar shkatërrimin e Kosovës për një post ose një vend pune”, përfundon analisti, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)