‘Listat për deputetë’, vjen paralajmërimi për partitë politike

  • 05 September 2019 - 12:58
‘Listat për deputetë’, vjen paralajmërimi për partitë politike

Edhe në këto zgjedhje do të shohim kandidatë të njëjtë për deputetë, karakteristikë e tyre është servilizmi ndaj partisë dhe...

Partitë politike vazhdimisht thirren në se do të bëjnë ndryshime brenda tyre duke sjellë njerëz të rinj në subjektet e tyre politike, mirëpo edhe në këto zgjedhje të parakohshme shihet se fjalët e tyre janë mbeten në ajër, pasi që në medie kanë filluar të qarkullojnë disa emra të ish-deputetëve dhe zyrtarëve të partive të ndryshme që pritet të jenë pjesë e garës për deputet, po të njëjtit të cilët kanë qenë pjesë e disa legjislaturave të tjera.

Këto parti thirren në reformim, por nuk shohim ndryshimin aq sa kanë deklarata, ku edhe 20 vite pasluftës shohim fytyrat e njëjta në subjekte politike.

Analistët thonë se në këto lista deputetësh që do t'i paraqesin partitë politike nuk do të ketë ndonjë risi.

Image
Nexhat Haziri

Njohësi i çështjeve politike, Nexhat Haziri në një prononcim për "Kosova Sot Online" tha se aderimet e njerëzve në parti politike në prag të fushatave zgjedhore, bëhen më shumë për interesa personale, ngase, siç tha ai, se sa që sjellin ndonjë risi për të shtuar besimin e qytetarëve ndaj këtyre adresuesve apo subjektin në të cilin kanë aderuar.

"Këta emra natyrisht se partitë politike po i shfrytëzojnë gjoja si prurje të tyre dhe po i përdorin si maskotë për ta manipuluar opinionin sidomos votuesit, por në fakt nëse ju referohesh se cilit nga këta emra dhe begrandit të tyre, del se ata nuk sjellin asgjë të re sa i përket funksionimit të këtyre partive politike apo edhe ardhjes së tyre në pushtet", tha Haziri për "Kosova Sot Online”. 

Sipas tij, në këto lista deputetësh që do të paraqesin partitë politike, nuk do të ketë kush e di çfarë risie në to.

"Pasi do të mbizotërohen nga njerëzit e njëjtë, bile edhe nga ata që opinion nuk i mban mend për asgjë përpos uljes dhe ngritjes së dorës, si të thuash “të pagojë”, motive i së cilëve ka qenë vetëm marrja e një page te mirë nga buxheti i shtetit", tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Për fund, Haziri tha se me këtë iu ngushtohet hapësira të rinjve dhe ideve të reja, përfaqësuesve dinjitozë të qytetarëve të vendit.

“Prapë se prapë do të shohim të njëjtit kandidat për deputet të cilët nuk i karakterizon asgjë tjetër përpos servilizmi ndaj kryetarit të partisë”, përfundoi Haziri.

(Kosova Sot Online)