Limaj premton se do ta ndryshojë mënyrën e dhënies së granteve për bujqit

  • 05 September 2019 - 14:28
Limaj premton se do ta ndryshojë mënyrën e dhënies së granteve për bujqit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj, ka thënë se prioritet kryesor i partisë së tij do të jetë fuqizimi i bujqve në 4 vitet e qeverisjes së ardhshme.

Limaj ka thënë se së bashku me partnerët është duke hartuar programin qeverisës që do t’i fuqizojë bujqit kosovarë.

“Nisma Socialdemokrate bashkë me partnerët e saj është duke hartuar programin qeverisës ku një nga prioritetet kryesore do të jetë fuqizimi i bujqve të Kosovës”, ka thënë Limaj.

Ai po ashtu ka deklaruar se duhet të ndryshohet forma e ndarjes së granteve në bujqësi dhe të mos jetë siç ka qenë deri më tash.

“Ne vlerësojmë se duhet ndryshuar formën e ndarjes së granteve në bujqësi, sepse kështu siç është aplikuar deri më tani nuk po ndihmohen sa duhet bujqit tanë.
Nisma Socialdemokrate vlerëson se investimet në bujqësi, përmes granteve duhen rritur ndjeshëm si parakusht për rritjen e sektorit të bujqësisë”, ka deklaruar Limaj.

Limaj ka thënë se planifikojnë të investojnë 500 milionë euro në bujqësi në mandatin e parë të qeverisjes.

“Ne vlerësojmë se buxheti i Kosovës duhet të orientohet në investimet në bujqësi dhe në këtë drejtim ne planifikojmë të investojmë mbi 500 milionë euro në bujqësi (brenda një mandati katër vjeçar) duke stimuluar kështu bujqit tanë të kultivojnë kultura tradicionale dhe të reja bujqësore”, është shprehur Limaj.

(Kosova Sot Online)