“Projekti 10 pikësh”, kjo është frika e madhe e Kadri Veselit

  • 05 shtator 2019 - 15:34
“Projekti 10 pikësh”, kjo është frika e madhe e Kadri Veselit

PDK është flamurtare e krimit dhe e korrupsionit dhe tash me planin 10 pikesh është duke bërë vetëm tallje me opinionin publik dhe...

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi e ka cilësuar farsë dhe gënjeshtër të madhe elektorale propozimin e Kadri Veselit për një pakt kundër korrupsionit me 10 pika, për të cilin i ka ftuar për nënshkrim dhe mbështetje edhe partitë tjera politike.

Sipas Kelmendit, vetëm politikanët me ndërgjegje të sëmura bëjnë fushatë me propozime të tilla, e të cilat po të ishin serioze, do ta kishin pasur mbështetjen dhe ishin zbatuar gjatë mandatit qeverisës, por këtë nuk e kanë bërë dhe nuk do e bëjnë as në të ardhmen, madje as partitë politike të pozitës së deridjeshme dhe as të opozitës.

Image
Muhamet Kelmendi

“Kosova gjendet në fushatë elektorale dhe për fat të keq të këtij vendi nuk kanë ndërgjegje politike asnjë nga konkurrentët në fushatë. Po premtohen gjëra dhe projekte nga më të ndryshme nga autorët e krimit dhe të korrupsionit. E këtu dihet se nga jetëgjatësia në qeverisjen e deritanishme të vendit janë dy subjekte politike flamurtare dhe bartëse të të gjitha krimeve dhe veprimeve korruptive në vend. Fjala është këtu për kohën e gjatë të qeverisjes nga PDK dhe LDK që ishin më së gjati në pushtet bashkërisht, diku rreth 16 vjet. Kryesisht kjo gjendje e rëndë është rrjedhojë e këtyre dy subjekteve”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Mirëpo sipas Kelmendit, duke qenë se PDK gjithnjë ka qenë në krye të instalimit të lidhjeve kriminale dhe të korrupsionit në institucionet e shtetit, tani nga frika e ndëshkimit po mundohet që të shfajësohet duke mashtruar qytetarët kinse është po ky subjekt politik që do ta instalon shtetin e së drejtës. 

“PDK është flamurtare e krimit dhe e korrupsionit dhe tash me planin 10 pikesh është duke bërë vetëm tallje me opinionin publik, me një fushatë mashtruese të pa presedan në skenën politike të Kosovës”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Prandaj sipas tij, derisa nuk pastrohen partitë kryesore politika nga të korruptuarit dhe të inkriminuarit, janë të kota zotimet e këtyre partive për luftë kundër krimit e korrupsionit, sikur që po e bën me plane e projekte elektorale të veçanta Kadri Veseli.

“Në skenën politike janë të njëjtit që e dërmuan Kosovën, janë politikanët e dyshuar për veprimtari antiligjore. Pra, që planet i bëjnë të rrejshme me shpresë se edhe ashtu do të ju besohet në fushatë, por jo, të tillët duhet të shkojnë sa më shpejtë në shtëpi. E këtu ka shumë autor që lidhen me krimin e korrupsionin në të dyja partitë kryesore politike por edhe në të tjerat që pa asnjë ndryshim po pretendojnë ta marrin pushtetin”, deklaroi profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Kelmendi thotë se është mashtrimi më i madh që po i bëhet këto ditë qytetarit të Kosovës, kur i dëgjon të gjithë përfaqësuesit e partive politike të cilët sikur të ishin renditur në kor flasin kundër krimit e korrupsionit. 

“Të vjen shumë keq kur dëgjon çdo ditë thëniet e tilla gjeja se të angazhimit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, e në të njëjtën kohë po këto subjekte politike dhe po këta lider kryejnë krime edhe nëpër institucione dhe nëpër subjekte publike e private. Krimi dhe kriminelët nuk e njohin faljen por ata pastrohen vetëm me ndëshkimin e forcës së ligjit sepse janë të pa përmirësueshëm. Nëse nuk ndëshkohen dhe nuk ndiqen nga skena politike ata mbesin të njëjtë dhe vazhdojnë rrugën e njëjtë”, shtoi Kelmendi për “Kosova Sot Online.

Sipas tij, qytetari duhet t’i injorojë premtimet e njerëzve të tillë të njohur për afera dhe kapje të shtetit, prandaj para se të vije koha e ndëshkimit penal të tyre dhe konfiskimit të pasurisë nga drejtësia, le të ndëshkohen me votë nga qytetarët.

“Tash është një shans ideale ku qytetarëve iu mbetet ti dënojnë të tillët me vota dhe fare të mos ju besojnë fjalëve sepse kriminelët nuk ndërrojnë rrugë. Ata janë krijuar dhe vazhdojnë të mbeten të tillë”, përfundoi Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)