Parashikimi: Ja partitë që do ta formojnë qeverinë e re në Kosovë

  • 06 September 2019 - 07:35
Parashikimi: Ja partitë që do ta formojnë qeverinë e re në Kosovë

Me krijimin e qeverisë së re edhe Prokuroria do të mundë të pavarësohet nga ndikimi i politikës, dhe do të fillojë të merret me...

Analistët politikë po vazhdojnë të ndezin alarmin për përsëritjen e fenomenit të abuzimit të partive politike me buxhetin e shtetit dhe të gjitha asetet publike në fushatën elektorale për zgjedhjet 6 tetorit, njësoj dhe pa pendueshëm sikur që kanë vepruar edhe në zgjedhjet e kaluara.

Image
Jeton Kelmendi

Lidhur me këtë çështje, analisti politik, Jeton Kelmendi tha për “Kosova Sot Online” se denoncimi dhe ndjeka penale për këtë formë abuzimi, mund të ndodhë vetëm nëse partnerët politikë që kanë bashkëqeverisur në këto dy vitet e fundit mbeten në opozitë, dhe nëse një koalicion i ri qeverisës ndërtohet nga dy subjektet opozitare që janë LDK dhe VV, e të cilat do të krijonin edhe hapësirë të veprimit të pa varur të drejtësisë për të trajtuar këto raste.

“Te ne është një fenomen që ndodhë në vazhdimësi, e që partitë politike të cilat janë në qeverisje, e shfrytëzojnë edhe kohën pas përfundimit të mandatit duke qenë në qeverisje në detyrë për ta shpërdoruar në mënyrë ekstreme paranë publike, për të vazhduar ta shpërdorojnë akoma më shumë se sa gjatë mandati të rregullt të qeverisjes së tyre. Këtë praktikë tani po zbatojnë edhe ish kaolicionistët e PAN-it, PDK-ja e Kadri Veselit dhe AAK-ja e Ramush Haradinajt, sikurse edhe partia e Fatmir Limajt, që tani kundërligjshëm marrin vendime të ndryshme përmes dikastereve ministrore në qeveri për ta shfrytëzuar buxhetin, për çka nuk kanë të drejtë ligjore të marrin vendime të tilla sepse ata nuk kanë më mandat të plotfuqishëm por janë vetëm zyrtar qeveritar në detyrë’, tha Jeton Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kelmendit, mënyra se si këto parti politike po veprojnë tani me zyrtarët e tyre që ishin deri dje në pushtet, me mënyrën se si po abuzojnë tash me asetet shtetërore në fushata, duke filluar nga ato më të thjeshtat, me veturat zyrtare e deri më buxhetin e shtetit, është një veprimtari krejtësisht kundër ligjore, pasi kjo qeveri është dorëhequr dhe nuk e ka më asnjë të drejtë të merret me menaxhimin e parasë publike.

Sipas tij, Qeveria e re e Kosovës, nëse ndërtohet nga opozita e këtij mandati të përfunduar me vetë shpërbërje, do të duhej të merrej seriozisht edhe me këto abuzime elektorale të buxhetit të shtetit.

“Qeveria e re e Kosovës që do të formohet pas 6 tetorit, pa këto partitë politike të PAN-it, duhet të ngrit padi penale për të gjitha rastet që konstatohen se është prekur buxheti i shtetit për qëllime elektorale dhe projekte tjera në funksion të kësaj fushate, por edhe për abuzime të natyrave të tjera, dhe ato padi të drejtohen në prokurorinë e shtetit”, theksoi jeton Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Ai thotë se në këtë fazë të tanishme, edhe pse Prokuroria ka njohuri për shpërdorim të buxhetit nga partitë në pushtet, nuk vepron ngase është thellë e ndikuar dhe kontrolluar nga të njëjtat parti politike, por do të ndërmerr veprimet konkrete vetëm pas ndërtimit të Qeverisë së re pa partnerët e tanishëm të PAN-it.

“Mendoj që qeveria e re e cila pres të ndërtohet besoj nga LDK dhe VV-ja, do të ngrit edhe akt padi kundrejt këtyre njerëzve sepse dihet që qëllimi i këtyre partive politike, qëllimi ishte dhe vazhdon të jetë është mbijetesa, dhe mbijetesa deri më tani është siguruar vetëm duke e zhvatur këtë shtet dhe paranë publike. Me krijimin e qeverisë së re edhe Prokuroria do të mundë të pavarësohet nga ndikimi i politikës, të fillon të merret me të gjitha abuzimet e bëra në të kaluarën e afërt e të largët me të gjitha asetet dhe buxhetin e shtetit, edhe me këto në fushata elektorale, sepse ndryshe kjo prokurori nuk ka guxuar dhe as që do të guxon të merret me vepra të tilla të krimit të organizuar derisa të njëjtit të jenë në pushtet”, tha Jeton Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )