Alarmohet Kosova: Ky është mashtrimi i madh me zgjedhjet

  • 06 September 2019 - 07:42
Alarmohet Kosova: Ky është mashtrimi i madh me zgjedhjet

Zgjedhjet e 6 tetorit do të mbahen si rezultat i dorëheqjes së papritur të Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit...

Partitë politike vazhdimisht potencojnë se do të sjellin njerëz të rinj në partitë e tyre, mirëpo edhe në këto zgjedhje shihet se këtë e kanë vetëm për të thënë e jo për të bërë. Në medie po përfolët se disa emra të deputetëve që do t'i hynë garës, do të jenë po të njëjtit që kanë qenë edhe në disa legjislatura tjera.

Image
Gani Qarri

Madje analistët e kanë vlerësuar se edhe këto zgjedhje, nuk janë asgjë më tepër se sa farsë dhe akte "manipuluese" për qytetarin.

Analisti politik, Gani Qarri tha për “Kosova Sot Online” se nëse analizohen me kujdes arsyet që vazhdimisht po qojnë në konflikte e krijojnë kundërthënie, dhe pa kaluar as dy vite të plota shkaktojnë kriza qeveritare, shihet qartë se edhe këto zgjedhje, nuk janë asgjë më tepër se sa farsë dhe akte "manipuluese" për qytetarin.

"Madje megjithëse partitë e njëjta politike vazhdimisht bëjnë zhurmë të madhe dhe sidomos në prag fushatash elektorale potencojnë me zë të ngritur se kinse do të bëjnë reforma dhe sjellin njerëz të rinj në partitë e tyre,pikërisht në këto zgjedhje shihet më së miri, se ato krejt këtë, e kanë vetëm për të thënë, e jo edhe për të bërë", tha analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, më tepër në medie po përfolët hapur, se edhe disa emra të deputetëve që do t'i hynë garës, do të jenë po të njëjtit që kanë qenë edhe më parë, madje në disa legjislatura tjera.

"Ndaj kjo nuk është asgjë tjetër përveçse farsë dhe lojë e hapur përballë qytetarëve, përderisa publikisht flitet për rini, por vet atyre pothuajse asnjëra nga partitë nuk u japin mundësi as ofrojnë hapësirë veprimi", tha ai.

Tutje, Qarri tha kuadrot e vjetra kanë frikë se do ti humbin postet politike,privilegjet dhe përfitimet e majme, sic thotë ai, që ata kanë gëzuar për dy dekada pa ndërprerë,vetëm sa po përsëriten njerëzit e njëjtë qe 20 vite me radhë, nga shumica e partive politike në vend

"Kështu që me të drejtë lind pyetja, se si, politikanët dhe vet partitë aktuale mund të thirren kaq fort në reformime të brendshme, përderisa ne nuk shohim aq emra të rinj, kur vjen puna tek lista e deputetëve. E për pasojë,krejt kjo lë të kuptohet qartë, se fatkeqësisht edhe këto zgjedhje, nuk janë shpresëdhënëse as premtuese siç mendonin qytetarët, por vetëm "manipuluese" për banorët e vuajtur dhe të izoluar të Kosovës",përfundoi Qarri për "Kosova Sot Online".

(Kosova Sot Online)