Krejt çka ndodhi dje në “Matin 1”, si erdhi deri tek masakra, kush ishte motivi, detaje të ngjarjes që tronditi opinionin

  • 06 September 2019 - 08:14
Krejt çka ndodhi dje në “Matin 1”, si erdhi deri tek masakra, kush ishte motivi, detaje të ngjarjes që tronditi opinionin

Dita e djeshme për banorët e lagjes Mati 1 në kryeqytet ishte e kobshme. Ata u tmerruan nga ajo çka panë. Dy familje në atë lagje vendosën që me anë të armëve t’i zgjidhin problemet e tyre personale.

Familjet Rafuna dhe Mehmeti janë bashkëpronare të ndërtesës në Prishtinë dhe për të cilën kanë patur konflikte, çka solli edhe masakrën me dy të vdekur dhe dy të plagosur. Së fundmi, Zyra e Kadastrës në Komunën e Prishtinës kishte bërë edhe ndarjen e hapësirave që u takon secilës prej familjeve, por mesa duket konflikti midis tyre nuk ishte shuar.

Dy anëtarët e familjeve fillimisht janë përleshur fizikisht përshkak të të vendosjes së disa blloqeve në pronën e familjes Rafuna nga familja Mehmeti.

Pas kësaj konflikti ka degjeneruar në përdorimin e armëve.

Para se të mbërrinte policia dhe autoambulancat në trotuaret e një ndërtese në lagjen Mati 1 kanë qëndruar të shtrirë persona të përgjakur nga goditjet me armë zjarri.

Ndërkohë që është filmuar edhe dorasi duke e qëlluar njërin nga viktimat. Motivet e tragjedisë thuhet se kanë të bëjnë me çështje pronësore.

Një person, që është parë në pamjet amatore duke gjuajtur me armë zjarri, është arrestuar.

Arrestimin e tij e ka bërë një polic, i cili ishte jashtë detyrës në momentin kur kishte ndodhur krimi.

Në pamje shihet personi i plagosur, dhe dy armë afër tij.

Mjeku kujdestar në QKUK, Avdush Bajgora ka folur rreth gjendjes aktuale shëndetësore të dy personave të plagosur, të cilët janë duke u trajtuar në QKUK.

Bajgora, specialist reanimator, tha se pacientët i janë nënshtruar operacioneve kirurgjikale, por gjendja e tyre është e rëndë.

“Ne e kemi marrë në dorë gjendjen e përgjithshme të pacientëve, të cilët momentalisht janë të shtrirë në QKUK. Pacientët i janë nënshtruar operacioneve kirurgjikale, njëri prej tyre ka pasur lëndime në kokë me armë zjarri është intervenuar, gjendja e tij është e rëndë. Dhe tjetri ka pasur lëndime në ekstremitete, ku janë atakuar disa arterie dhe vena me rëndësi vitale. Tek këto raste gjendja është shumë e rëndë dhe momentalisht janë duke u trajtuar në mjekimin intenziv”, tha Bajgora.

Prokurori i rastit Ilaz Beqiri ka thënë se dyshohet se tre persona janë përfshirë në të shtënat me armë zjarri në “Mati 1”, sot në Prishtinë.

“Dy persona janë arrestuar më herët, ndërsa edhe një person i cili ka qenë i plagosur dhe ndodhet në Klinikën Emergjente, dyshohet se ka kryer vepër penale, mund të konsiderohet i arrestuar”, ka thënë Beqiri.

Më herët Bajram Krasniqi, zyrtar për media në Policinë e Kosovës, ka konfirmuar se gjatë të shtënave me armë zjarri sot në lagjen “Mati 1”, një zyrtar policor ka intervenuar në arrestimin e njërit nga të dyshuarit që ka gjuajtur me armë.

Sipas Krasniqit, nuk dihet nëse i njëjti ka gjuajtur edhe me armë.

“Ka qenë kalimtar rasti, jashtë detyrës. Si kalimtar rasti ka hasur në ngjarje dhe ka intervenuar dhe njëri nga të dyshuarit, i cili ka përdorur armën e shkurtër, është arrestuar nga polici, i cili ka qenë kalimtar rasti. Nuk dihet ende nëse i njëjti ka përdorur armën”, ka thënë Krasniqi.

Ndryshe, dy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri. 

(Kosova Sot Online)