Dialogu Kosovë-Serbi, dy senatorët amerikanë takohen sot me Vuçiqin në Beograd

  • 06 September 2019 - 10:44
Dialogu Kosovë-Serbi, dy senatorët amerikanë takohen sot me Vuçiqin në Beograd

Dy senatorët amerikanë, republikani Ron Johnson dhe demokrati Chris Murphy, pas takimeve që kanë pasur me krerët e shtetit të Republikës së Kosovës në Prishtinë, kanë udhëtuar për në Beograd, ku sot do të takojnë edhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Në takim do të marrin pjesë edhe ambasadori i SHBA’së në Beograd, Kyle Skott dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, shkruan media.

Arsyeja kryesore e vizitës së dy senatorëve amerikan në Prishtinë e Beograd është dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë të dy kishin deklaruar se rinisja e dialogut dhe arritja e një marrëveshje mes dy vendeve do të jetë çelësi i zhbllokimit të së ardhmes për Ballkanin Perëndimor.

Përveç tjerash Murphy ka thënë që të dy vendet duhet të kuptojnë që për arritjen e një marrëveshje finale duhet të bëhen sakrifica, dhe se dy shteteve do t’iu bie hise që të bëjnë zgjidhje të vështira.

Ditë më parë Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompe, kishte caktuar si Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Palmer ka treguar se rinisja e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të jetë një prej gjërave më të rëndësishme në agjendën e tij në Ballkanin Perëndimor.

Përveç senatorëve amerikanë në Kosovë ka qëndruar edhe deputeti i CUD’së së kancelares gjermane Angela Merkel, Peter Beyer.

Ai ka përsëritur qëndrimin gjerman kundër idesë së korrigjimit të kufijve, dhe ka paralajmëruar një vizitë të Palmerit në Kosovë e Serbi.

(Kosova Sot Online)